Lajme

Kërkesa e ekipit mbrojtës të Thaçit për mbështetje financiare/ Miftaraj: Kosova ka hyrë vetë në këtë obligim!

08/22/2024 18:14
nga:Genita C

Ehat Miftaraj nga IKD ka folur rreth kërkesës së ekipit mbrojtës të Thaçit, ku këta të fundit kërkuan mbështetje financiare shtesë nga Qeveria e Kosovës.

Miftaraj në një përgjigje dhënë për GazetaBlic, thotë se Kosova e ka obligimet e veta për t’iu oftruar mbrojtje efektive dhe profesionale personave që merren nga Gjykata Speciale në Hagë.

“Duke marrë për bazë faktin se Kosova si shtet përmes ndryshimeve kushtetuese ka vendosur të themelojë Gjykatë Speciale në Hagë, Holandë, për të gjykuar shtetas të Republikës së Kosovës në një shtet tjetër, ka hyrë në obligime tek personat që mund të jenë subjekt i aktakuzave për të iu ofruar mbrojte efektive dhe profesionale gjatë tërë procesit gjyqësor, duke përfshirë ofrimin e ndihmës financiare”, tha Miftaraj.

Tutje, Miftaraj shton që është e domosdoshme që mbrojtja të ketë burime financiare.

“Poashtu, kur prokuroria në Hagë ka numër të madh të prokurorëve dhe stafit mbeshtetës të cilët kanë përvojë dhe ekspertizë në të drejtën ndërkombëtare penale, është e domosdosshme që edhe mbrojtja të ketë burime financiare dhe njerezore të mjaftueshme për tu siguruar barazia e palëve në procedurë”, tha Miftaraj për GazetaBlic.

Ndryshe, më 12 gusht 2024, Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për rritjen e fondeve që do të mbulojnë nevojat për mbrojtje juridike të ish-krerëve të UÇK-së.

Letra iu është dërguar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe ministren së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në këtë letër, Bordi i Fondacionit thekson se kufizimet e vendosura në shpenzimet për mbrojtjen juridike, të cilat janë përcaktuara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2024, kanë vënë ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi në një situatë të pamundur për të përmbushur detyrimet e tij.

Fondacioni njofton se, për shkak të mungesës së fondeve, një nga avokatët kryesorë është larguar, dhe avokati aktual i angazhuar ka paralajmëruar se mund të largohet deri në fund të muajit.

Nëse kjo ndodh, procesi gjyqësor mund të shtyhet për së paku gjashtë muaj, deri sa të gjendet një avokat i ri që të njihet me rastin.

Fondacioni vlerëson se është urgjente dhe e domosdoshme ndarja e fondeve shtesë për të siguruar mbrojtjen efektive të Thaçit në gjykatë.

Në letër theksohet se, megjithëse Fondacioni është krijuar për të ofruar mbështetje alternative financiare dhe për të lehtësuar barrën mbi buxhetin publik, nuk ka arritur të sigurojë fonde të mjaftueshme që do ta bënin këtë kërkesë të panevojshme.

Fondacioni beson se mbështetja financiare nga institucionet e Republikës së Kosovës është thelbësore për të siguruar qasjen efektive në drejtësi dhe për të mbrojtur integritetin e luftës së UÇK-së dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri.