Lajme

Rexha: Shpresojmë që Kushtetuesja ta shfuqizojë ligjin për KPM-në, mediat të mos bien pre e presioneve të Qeverisë

08/21/2024 19:57
nga:N K

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dorëzuar të martën në Gjykatën Kushtetuese komentet e saj në lidhje me Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), duke e kundërshtuar atë si “antikushtetues” dhe kundër lirisë së medias.

Ligj ky i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik veç tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha.

Ai tha se shpresojnë se vendimi i Gjykatës Kushtetues të jetë shfuqizimi i ligjit për KPM-në dhe të krijohet mundësia për krijimin e një ligji të ri.

“Ne e falenderojmë Gjykatën Kushtetuese që na është ofruar për të kërkuar komentet tona sa i përket ligjit për KPM-në, ne shpresojmë që kemi arritur të komentojmë për Gjykatën Kushtetuese që disa prej neneve të ligjit për KPM-më shkojnë kundër veprimeve të Kushtetutës. Ne shpresojmë që në fund vendimi do të jetë që ligji të shfuqizohet dhe të nis prej fillimit të shkruhet një ligj i ri”, deklaroi ai.

Tutje ai tregon për dëmet që mund t’i sjellin mediave hyrja në fuqi e këtij ligji, si dhe thotë që mediat të vazhdojnë punën e tyre profesionale e sipas tij të mos bien pre e presioneve nga Qeveria aktuale.

“Dëmet që do t’i shkaktohen mediave me hyrjen eventuale në fuqi të këtij ligji do të jetë shumë i madh, ne vazhdojmë të konsiderojmë që qëllimi kryesorë i ligjit të tillë të miratuar nga qeveria e Kosovës është kontrollimi dhe diciplinimi i mediave, i cili është i papranueshëm të ndodhë në vitin 2024 në Kosovë. Ne i nxisim mediat që të vazhdojnë të bëjnë punën e tyre profesionale duke mos rënë pre e presioneve të përditshme që po vijnë nga Qeveria aktuale”, theksoi ai.

Rexha më tej tregon shkurtimisht përmbajtjen e komenteve të dërguara në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me Ligjin për KPM-në.

“Komentet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të bordit të KPM-së, zgjedhjen direkte në Kuvendin e Kosovës të kryetarit ose kryetarët e bordit të KPM-së, mënyrën e shkarkimit të tyre gjithashtu, kanë të bëjnë edhe me barazinë gjinore në përbërjen e bordit të KPM-së, kanë të bëjnë edhe me mungesën e konsultimeve të duhura publike dhe përfshirjen e të gjitha akterëve në konsultime për të draftuar lidhjen”, përfundoi kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha.

/GazetaBlic/