Lajme

Prokuroria deklarohet për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë: Motivi dyshohet të jenë problemet familjare

08/21/2024 10:15
nga:G B

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë, ku një grua vra kunatin e saj dhe u dorëzua në Polici.

Sipas Prokurorisë, motivi dyshohet të jetë për probleme familjare.

Kështu bëri të ditur për Gazeta Blic, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë, në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë, iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime te Renda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty në bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajete është dërguar në IML për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeç) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”, sipas KPRK-së, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale”, tha ajo.

Ulaj shtoi se do të kërkojnë masën e paraburgimit ndaj të dyshuarës.

“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes se këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë te gjitha rrethanat e këtij rasti. Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do te paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, tha ajo për Gazeta Blic.

Vrasja në Prishtinë, policia tregon se çfarë gjeti në vendin e ngjarjes