Lajme

Shala: E vetmja meritë e Qeverisë Kurti është largimi i investitorëve me propagandën e tyre

08/21/2024 19:02
nga:N K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times.

Sipas raporteve, tregohet se Kosova renditet e dyta në Evropë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe e pesta në të gjithë botën.

Lidhur me këtë çështje në një intervisë për Gazeta Blic, u deklarua deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala.

Ai për gjendjen ekonomike në përgjithësi në Kosovë tha se është jo e mirë, duke theksuar mungesën e investimeve, shkallën e lartë të importeve dhe rënien e eksportit.

“Gjendja e ekonomisë në nivel të përgjithshëm është jo e mirë, shkalla e lartë e importeve sidomos në tri vitet e fundit vjen duke u rritur, e fatkeqësishtë eksportet kanë një rënie drastike. Parimisht mungesa e investimeve të mirëfillta strategjike ka bërë që tashmë të kemi edhe një situatë jashtëzakonisht të rëndë të shkalles së rritje së inflacionit, numri i papunësisë gjithashtu, por njëkohësishtë për shkak të kësaj gjendje ikja masive e të rinjëve dhe fuqisë punëtorë jashtë vendit e ka vështirësuar edhe prodhimin edhe ashtu të pakët vendorë, gjegjësisht i ka lënduar shumë në substancë të gjitha ndërrmarrjet e vogëla dhe të mesme të ekonomisë private të Kosovës. Pra në tërësi gjendja ekonomike është jashtëzakonishtë e keq”, deklaroi ai.

Tutje ai për të hyrat financiare nga diaspora tha se Qeveria aktuale po i trajton dhe quan investime të huaja, e sipas tij kjo është gabim dhe fyerje për mërgatën.

“Ne ç’është e vërteta kemi dëgjuar shumë retorika, por faktet tregojnë që në Kosovë në katër vitet e fundit nuk kemi pasur investime të huaja, nuk kemi pasur investime të jashtme, fatëkeqësisht qeveria aktuale në krye me kryeministrin Kurti, investime i kanë trajtuar dhe po i trajtojnë të gjitha të hyrat financiare nga mërgata jonë e që është gabim. Ata janë punëtorë, janë shtetasit tanë, vëllëzërit tanë të cilët me djersën e tyre të fituar në perëndim tashmë po investojnë, edhe atë kryesishtë në pjesën e patundshmërive, në pjesën e banesave e kështu me radhë. Në këtë relacion pra këto të hyra të mërgatës qeveria po i trajton si të hyra të huaja e që në esencë është shumë gabim dhe është fyerje për mërgatën”, tha Shala.

Deklaratat e kryeministrit Kurti se Kosova është destinacion lider për investitorë dhe e dyta në Evropë për zhvillim, deputeti tha se janë krejtësisht paraelektorale, improvizim dhe sipas tij të pa vërteta.

“Ajo çka kemi dëgjuar nga kryeministri Kurti ditëve të fundit që Kosova zë një vend këtu apo aty, janë krejtësisht fushatë paraelektorale, krejtësisht improvizim, krejtësisht të pa vërteta sepse nëse është ashtu kryeministri le të na tregojë ne dhe qytetarëve të vendit si kryeministër se ku janë ato projekte, kush janë ata investitorë, sa është shuma e investimeve, në cilat zona dhe sektorë kanë investuarë. Pra, ai nuk mund të thotë asnjë investorë, asnjë pozicionë ekonomik, asnjë shumë financiare ku brenda territorit të Kosovës në katër vite që menaxhon ai me ekonomi dhe me shtetin ekzistojnë. Nuk ka bërë asnjë përurimë praktikishtë të ndonjë projekti qoftë vendorë apo ndërkombëtarë. Në këtë relacion, të gjitha janë retorikë politike siç e ka zakonë kjo shumicë parlamentare, pa asnjë të vërtetë dhe gjë konkrete. Është jashtëzakonishtë për keqardhje të thuash ne zëjmë këtë pozicionë, kur nuk e kem asnjë,  përkundërazi na kanë ikur investitorët strategjikë të energjisë, na kanë ikur investitorët e sektorit mierar të industrisë së rëndë, na kanë ikur investorët e turizmit malorë e kështu me radhë”, potencoi ai.

Sipas Shalës Qeveria aktuale në këtë situatë të vetmet merita që ka, sipas tij janë largimet e investitorëve me të ashtuquajturën propagandë që Kosova nuk qëndron mirë me stabilitetin politikë.

“Në këtë relacion qeveria ka të vetmet merita që i ka larguar investitorët me propagandën e saj që sot jemi në krizë, nesër mund të na sulmojë Serbia,, situata krize dhe parimisht thirrje për përgatitje për luftë dhe jo vetëm njëherë, por kryeministri, ministra të caktuar dhe presidentja në raste të veçanta e kanë bërë situatën politike dhe sigurisë së tillë, saqë asnjë investitorë në këtë gjendje nuk mund të pritet që vjen afatshkurtër në Kosovë.Krijimi i imazhit që Kosova është jo stabile politikisht, krijimi i imazhit që Kosova është në një situatë para shpërthimit të luftës, krijimi i  imazhit së përkeqësimit të skajshëm politik të raporteve me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara domosdoshmërit ndikon në largim e investitorëve seriozë strategjikë në këtë vend dhe kjo ka pasoja sepse mos ardhja e investitorëve ka praktikisht situatën e krijuar, pra ikjen masive të të rinjëve në drejtim të shteteve perëndimore të vendit”, theksoi ai.

Deputeti i PDK-së Ferat Shala për në fund tha se Qeveria aktuale nuk ka çfarë të bëjë më sepse sipas tij tashmë fokus i tyre është ridizajnimi i retorikës politike boshe dhe mashtrimi i qytetarëve.

“Qeveria aktuale tashmë nuk ka çfarë të bëjë sepse tash e ka vetëm një fokus, të ridizajnojë retorikën politike boshe të saj në pragë të fushatës zgjedhore dhe të mundohet dhe njëherë normalisht të mashtrojë qytetarët ashtu siç i ka mashtruar që katër vite”, përfundoi deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

/GazetaBlic/