Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një raport të ri të ‘FDI Intelligence’ nga Financial Times.
Sipas raporteve, tregohet se Kosova renditet e dyta në Evropë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe e pesta në të gjithë botën.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua eksperti i ekonomisë, Arton Muhaxheri.
Ai quajti se ajo që deklaron Kurti është mënyra për të paraqitur veten dhe qeverinë e tij të sukseshme në fushën e investimeve të huaja.
“Ajo çfarë deklaron Kurti si kryministër i vendit është mënyra për ta paraqitur vetën dhe qeverinë e tij si të sukseshme në fushën e investimeve të huaja, por thellë thellë edhe vetë Kurti e din që nuk qëndron mirë sa i përket investimeve të huaja. Vetë fakti që Kurti raportin e FDI-së e ka publikuar në Tweeter dhe jo në “Facebook” tregon që as ai vetë nuk beson që Kosova është destinacion i investimeve të huaja, këte po e them sepse Kurti na ka mësuar se për ngjarje populiste me qytetarët komunikon vetëm përmes Facebook, aty ku përcjellet më së shumti nga militantët e tij”, deklaroi ai.

Muhaxheri tha se Kurti për të ndryshuar mendimet e botës të krijuar për Kosovën, duhet t’i rregullojë raportet me ambasadorët e huaj në Kosovë dhe me odat ekonomike të shteteve gjegjëse.
“Në një vend si Kosova ku fjala luftë përdoret më shumë se fjala investim dhe zhvillim, në një vend ku fjala luftë përdoret më shumë se në Ukraninë, që është realisht në luftë, në një vend ku presidentja ndihet e pasigurt dhe në një vend ku çdo ditë flitet për një shpërthim të situatës në pjesën veriore të Kosovës, atëherë nuk mund të priten investime të huaja, prandaj nuk mund të ketë stabilitet ekonomik. Kurti për ta ndryshuar percepcionin që ka krijuar bota për Kosovën, duhet t’i rregullojë raportet me ambasadorët e juaj dhe të fillojë një kampanjë ku do të tregonte se Kosova ka potencial, ka resurse humane dhe johumane, në mënyrë që t’i krijohet mundësi investitorëve të huaj për investime”, përfundoi eksperti i ekonomisë Arton Muhaxheri.
/GazetaBlic/


