Nga BE kanë deklaruar se çështja e Urës së Ibrit në dialog nuk nënkupton ndonjë marrëveshje të re.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar deputeti nga PDK, Xhavit Haliti, ku thotë se hapja e urës duhet të bëhet në një kohë më të përshtatshme dhe hapjen ta bëjnë dy bashkëkryetarët e Mitrovicës.
“Nuk është problemi çfarë thotë BE për Urën e Ibrit, e sa na pëlqen apo s na pelqen, ajo, që protagonist e zëdhënës të politikës evropiane dërgojnë mesazhe në drejtim të Kosovës e Serbisë. Ajo që është me rëndësi për neve, është deklarimi publik i të gjithëve qofshin Amerikan, Evropian, Mbretëri e Bashkuar etj… që Ura duhet të hapet, por hapja e saj mos të bëhet në momentin e papërshtatshëm që mund të sjell paknaqësi tek njëra palë e qytetarëve. Hapja e ures do bëhet në një kohë më të përshtatëshme dhe shpresoj që hapjen e urës do e bëjnë dy bashkëkryetarët e Mitrovicës, dhe kjo hapje do bëhet përmes një akti festiv. Kjo që po e them duket si e pamundur, por unë besoj që edhe politikat shtetërore do pajtoheshin që ura të hapet si domosdoshmëri e në mënyrë festive se sa duke ia treguar muskujt njëri tjetrit e aq më pak përmes veprimeve që sjellin mosbesim tek Aleatët e miqtë tanë, për institucionet tona”, tha ai.
Haliti thekson se mesazhet e aleatëve tanë janë të qarta dhe të paluhatshme, ku shton se qeveria dhe institucionet tona duhet të jenë bashkëpunues.
Tutje, ai shton se Kosova që të arrij cakun që dëshiron në NATO, OKB dhe BE, duhet të bëjë politika paqësore.
“Mesazhi i Ëashingtonit Brukselit, Londrës e NATO-s, është i qartë dhe i paluhatshëm. Ata nuk sugjerojnë konflikt, por edhe janë qortues e këshillues për qeverinë e popullin e Kosovës. Duke qenë në pozitë të tillë, duke pas parasyshë obligimet që kemi në raport me njëri tjetrin, Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë lojal dhe bashkëpunues. Duke i lexuar disa deklarime të disa analistëve e politikanëve, të krijohet përshtypja që ne jemi këshilltarë, urdhërdhënes e shefa të BE, SHBA, NATO e MB. Ata e njohin mirë Serbinë e shumë më mirë Rusinë, ua dinë edhe lugët në magje (kuzhinë). Prandaj për të mos e zgjatur neve kemi nevojë për produkt të politikave paqësore, përendimore. Ky është mjeti më i sigurtë që të arrijmë në cakun që e dëshirojmë. Kosova në OKB, NATO, BE”, përfundoi Haliti për GazetaBlic.


