Hapja e urës nuk është kundër askujt.
Kështu ka deklaruar sot Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka thënë se do ta vazhdojë koordinimin me ndërkombëtarët.
“Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha ai.
Kjo deklaratë e Kurtit vjen një ditë pas lutjes që i bëri ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, drejtuar Qeverisë, që ura mos të hapet tani dhe të bisedojnë me ta për hapjen e saj.
Lidhur me tërheqjen e Kurtit ose jo për hapjen e urës, analisti Blerim Burjani, thotë për Gazeta Blic se kryeministri nuk është tërhequr por po hulumton për mundësitë që mund t’i përdor.
“Jo, ai po hulumton mundësitë e veprimeve, cilat metodat politike së pari do të përdor pastaj të rishikoje pozicionin e volitshëm, pra është vetëm taktikë politike, pra po blen situatën se çfarë po thonë të gjithë pastaj të ndërmerr veprime, edhe pse shumë pak i lënë hapësirë kalkuluese politike dhe vepruese, por nëse e pengojnë përfundimisht dhe me çdo kusht ai nuk do të bashkëpunojë në segmente tjera kërkuese”, thotë ai.
Burjani vlerëson se bashkësia ndërkombëtare nuk është dashur të bëjë kushtëzime sikur Serbia ndaj Kosovës.
“Mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk ia ka vlejtur të hyjnë në një thes me të, është dashur të jetë fleksibile për disa tema sidomos për marrëveshjet e Brukselit që ky ia ka vënë vetes urdhër për zbatim e Serbia asnjë hiq nuk do ta zbatojë, pra bashkësia ndërkombëtare nuk është dashur të bëjë kushtëzime sikur Serbinë, tash kushtëzimi e prodhon kushtëzimin”, potencon ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, ai shton se Kurti është mashtruar për anëtarësim në Këshill të Evropës dhe tani mundohet t’ua kthejë me urën e Ibrit.
Burjani thotë se Kurti është ky që është në politikë deri në mandatin e ardhshëm, ku s’do ta ketë më shumicën për të luajtur lojë politike solo.
“Kurtin e kanë mashtruar për Këshillin e Evropës, i kanë thënë që ta zbatojë vendimin për Manastirin e s’do të ketë kushte shtesë por ata i vënë kushte të reja, e ky tash mundohet disi t’ua kthejë me hapjen e urës. Albin nuk fal kurrgjë, ai merr por edhe respekton marrëveshje nëse janë përnjëmend të vlefshme dhe ia vlen. Tash Albini është ky që është në politikë deri në mandatin e ardhshëm, i cili nuk do ta ketë më shumicën për ta luajtur lojën solo politike”, deklaron Blerim Burjani./Gazeta Blic/
Kurti: Hapja e urës mbi Ibër nuk është kundër askujt, e aq më pak ndaj partnerëve


