Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që edhe këtë vit të subvencionojë prindërit për blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore.
Ajo në një prononcim për GazetaBlic, vendimin për tekstet shkollore e cilëson si të vonuar, pasi që një gjë e tillë sipas saj është dashur të ketë përfunduar.
Bytyqi potencon se dimensioni në të cilin trajtohet çështja e librave, tregon se në duar të kujt është arsimi, ku shton se Nagavci nuk di asgjë më shumë përveç krijimit të kaosit.
“Si gjithmonë, të vonshëm, kaotik, pa plan, veç zgjohen nga gjumi dhe dalin në konferenca me mendimin se janë t’u e ba namin për subvencionim të librave, derisa një gjë e tillë është dashur moti të ishte e përfunduar. Kjo ministre as veten nuk e merr seriozisht, se lëre më Ministrinë që e udhëheqë, ngaqë nuk di më shumë sesa të krijojë kaos, e të tentojë të bëjë hajgare, sepse kjo qasje e saj është me të vërtetë hajgare. Në dimensionin qysh trajtohet çështja e librave, tregon se në duar të kujt është arsimi”, përfundoi ajo për GazetaBlic.


