Lajme

Kërstiq: T’i dëgjojmë mesazhet e ShBA-ve – NATO e trajton çështjen e urës së Ibrit në aspektin e sigurisë

08/13/2024 21:44
nga:Sh R

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vazhdimësi po kërkojnë nga qeveria e Albin Kurtit, mos të bëjë përpjekje për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, për qarkullimin e automjeteve.

Kurse kryeministri Kurti, për çështjen e urës mbi Ibër, ka thënë se është çështje e Kosovës dhe se është përmbyllur në vitin 2016-2017 sa i përket Brukselit.

Ndërsa, sot ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që mos ta hapë urën e Ibrit në këtë kohë, derisa ka thënë se rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë.

“Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Në lidhje me situatën e krijuar ka folur për “Gazeta Blic” gazetari serb nga Mitrovica e Veriut, Branislav Kërstiq.

Ai thotë se Kosova ka pavarësi të kufizuar dhe se forcat e NATO-s në Kosovë e trajtojnë çështjen e hapjes së urës, si çështje sigurie dhe jo si çështje lirie të lëvizjes.

“Duhet ta pranojmë veten se Kosova ka pavarësi të kufizuar. Forcat e NATO-s në Kosovë e trajtojnë rastin e hapjes së urës jo si çështje lirie të lëvizjes por si çështje sigurie. Mandati i KFOR-it në Kosovë bazohet në Rezolutën 1244. Në anën tjetër, Kosova nuk është anëtare e NATO-s dhe KFOR-i është përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe është përgjegjës për parandalimin e konflikteve etnike brenda Kosovës”, tha ai.

Tutje, Kërstiq thekson se Hovenier ka qëllime të mira, ku shton se mënyra e vetme për paqe në Kosovë, është që t’i dëgjojë me kujdes mesazhet e administratës amerikane.

“Këtu nuk ka diplomaci, vetëm qëllime të mira të ambasadorit Hovenier. Qytetarëve të Kosovës duhet t’u kujtohet deklarata e disa muajve më parë e Hovenier, në të cilën ai thekson se SHBA-ja nuk do të kryesojë dialogun sepse nuk është neutral, por e mbështet Kosovën. Të gjithë duhet të dëgjojmë më me kujdes mesazhet e administratës dhe qytetarëve amerikanë dhe mediave dhe kryeministrisë dhe deputetëve. Kjo është mënyra e vetme për paqen në Kosovë”, përfundoi Branislav Kërstiq./GazetaBlic/

Thirrja e Hovenierit/ Haradinaj: Kushdo që rrezikon jetën e ushtarëve amerikanë, është kundër Kosovës

Matoshi: Shpresoj që Kurti mos t’i vë përballë në kundërshti amerikanët, se s’ka çka i duhet pushteti personal – do t’i gërditet

Thirrja e Hovenierit për Qeverinë/ Arifi: Kosova afër gabimeve të rënda historike – pa Amerikën e NATO-n na rrezikohet ekzistenca

Publikohet raporti për Urën e Ibrit: Është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale

Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë