Lajme

Thirrja e Hovenierit për Qeverinë/ Arifi: Kosova afër gabimeve të rënda historike – pa Amerikën e NATO-n na rrezikohet ekzistenca

08/13/2024 19:44
nga:G B

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës, që mos ta hapë urën e Ibrit në këtë kohë, derisa ka thënë se rrezikohet jeta e ushtarëve amerikanë.

“Pra, kërkesa jonë drejtuar Qeverisë – dhe e kemi bërë këtë bisedë qe disa muaj – është: ju lutemi, mos e ndërmerrni këtë veprim tani. Punoni me ne. Duam të ndihmojmë për të krijuar kushte ku diç e tillë mund të bëhet, por nuk besojmë se është koha tani”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, ka shtuar ambasadori.

Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti me çdo kusht do të tentojë ta hapë urën e Ibrit, por që hapja e saj njëanshëm rrezikon mbylljen e perspektivës për hapjen e saj.

“Çdo ditë e më shumë po duket se Kurti do të tentojë me çdo kusht hapjen e saj. Tendenca për hapjen e njëanshme të urës së Ibrit rrezikon mbylljen e perspektivës për hapjen e saj për afat të pacaktuar dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë temë e veçantë e dialogut në Bruksel”, thotë ai.

Arifi vlerëson se ura duhet të hapet në koordinim me NATO-n, duke shtuar se Kurti po i bën këto veprimet për qëllime elektorale.

“Natyrisht se ura duhet të hapet por në vend që kjo të hapej si rezultat i komunikimit dhe koordinimit me NATO-n, veprimet për agjendë elektorale të Kurtit bënë që këtë temë ta diskutojë Kosova me Lajçakun dhe Serbinë”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sipas Arifit, nuk beson që Kurti dhe njerëzit e tij do t’i lexojnë drejt mesazhet e Hovenierit.

“Mesazhet e Ambasadorit Amerikan uroj që Kurti dhe njerëzit e tij të i lexojnë drejt por nuk besoj se kjo do të ndodhë”, potencon ai.

Tutje, ai shton se amerikanët i dalin zot vetes por që nëse bëhen gabime të qëllimshme, Kosova do ta ketë këtë periudhë si më të palavdishmen e historisë.

“Mos të merakoset dikush fort sepse amerikanët janë të zotë e vetes dhe sigurt dinë të kujdesen për ushtarët e vet, por ku po mbetemi ne? Ku po mbetet ajo ideja që me breza të tërë jemi edukuar se shquhemi historikisht nga fisnikëria, falënderimi dhe besa e shqiptarit ndaj mikut dhe atij që të gjendet në ditë të vështira. Sa keq që shumë intelektual, akademikë dhe njerëz jo partiak i kanë futur veshët në lesh dhe presin kush po fiton. Kosova është shumë afër që të bëjë gabime të rënda historike dhe nëse këto “gabime të qëllimshme” bëhen, atëherë Kosova do të mbajë mend këtë periudhë si periudhën më të palavdishme të historisë së saj”, deklaron Avni Arifi.

Sipas tij, gjithçka po shkon në drejtim të realizimit të konstatimit se largimi i Kurtit nga qeverisja është çlirimi i dytë i Kosovës.

“Gjithçka dhe me shpejtësi po shkon në drejtim të realizimit të konstatimit se largimi i Kurtit nga qeverisja është çlirimi i dytë dhe i vërtetë i Kosovës. Kosova nuk mbetet keq nëse mbetet pa cilindo lider politik. Kosova mbetet jashtëzakonisht keq dhe rrezikohet deri në substancë të ekzistencës pa Amerikën dhe NATO-n”, përfundon Arifi./Gazeta Blic/

 

Hovenier: Hapja e urës në Mitrovicë në këtë kohë mund të rrezikojë ushtarët amerikanë

Publikohet raporti për Urën e Ibrit: Është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale