Lajme

Haradinaj reagon për vendimin e MASHT-it: Pushteti po maltreton nxënësit e prindërit, pse po përsëritet dështimi

08/13/2024 18:18
nga:G B

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar për vendimin e MASHT-it për subvencionimin e librave shkollorë për nxënësit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se pushteti po i maltreton prindërit e nxënësit me procedua të panevojshme, duke e përsëritur dështimin prapë.

Haradinaj ka shtuar se pushteti në vend që t’ua rrisë pagat mësimdhënësve, merret me veprime populiste, ndërsa ka shtuar që numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant.

I pari i AAK-së ka thënë po ashtu se nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas!

Postimi i tij i plotë:

Pushteti në vend që t’i sigurojë tekstet falas, i maltreton prindërit e nxënësit me procedura të panevojshme. Modelin e ndarjes së parave për tekste shkollore e kishin provuar vitin e shkuar dhe kishin dalë të dështuar. Pse e përsërisin dështimin prapë?

Në vend që ta rrisin cilësinë në arsim e të mos mbetemi në fund të listës së PISA-s, këta sajojnw armiq imagjinarë në mesin e mësuesve e sindikatave.

Në vend që t’i rrisin pagat e mësimdhënësve, merren me veprime populiste, se mos po shpërqendrohet vëmendja nga problemet reale.

Por, ato po grumbullohen përditë dhe po bëhen të papërballueshme.

Prandaj, numri i mësuesve dhe nxënësve që e kanë braktisur Kosovën, është alarmant.

Nxënësve duhet t’u sigurohen librat falas e jo t’u komplikohet jeta me procedurat e aplikimit falas!