Bashkimi Evropian do ta fusë çështjen e Urës së Ibrit në agjendën e bisedimeve të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, kështu u deklarua për RTV21.
“BE planifikon të vendosë statusin e urës në agjendën e takimit të ardhshëm të dialogut”, ka pohuar Massrali.
Edhe më parë përfaqësues të BE-së u deklaruan kundër hapjes së Urës së Ibrit për qarkullim për automjete. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ditë më parë kishte thënë se miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.
“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim. Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”, tha Stano.