Një zjarr i madh ka shpërthyer mbrëmë pas mesnate në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Zjarri kishte shpërthyer në pjesën e “Go Karting”, që ndodhet në Sllatinë.
Si pasojë, një person është lënduar, 20 vetura të parkuara dhe një objekt biznesi janë përfshirë nga zjarr.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 01:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në afërsi të Aeroportit të Prishtinës”, tha Ahmeti.
Ahmeti bëri të ditur se “personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që pas lokalizimit të zjarrit hetuesit policor në koordinim me institucionet përkatëse po kryejnë hetimet rreth rastit i cili është cilësuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.