Produktet bazë të shportës së konsumatorit janë shtrenjtuar muajve të fundit.
Këtë e tregojnë edhe në njoftim Agjencia e Statistikave të Kosovës duke publikuar të dhënat nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, sipas të cilave Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,2% në muajin korrik 2024, krahasuar me muajin korrik 2023. Inflacioni mujor ishte 0,3% në muajin korrik 2024.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala. Ai tha se ka një inflacion permanent me një shkallë të lartë në katër vitet e fundit, e sipas tij kjo ka vështirësuar jetën e qytetarëve në vend.
“Është e vërtetë që çmimet e konsumit janë rritur mbi 2.3% krahasur me vitin paraprak e kur i shtojmë kësaj që vitin paraprak kanë qenë diku rritje rreth 3% të konsumit d.m.th është një inflacion permanent me një shkallë të lartë të rritjes në katër vitet e fundit, e që realisht kjo ka vështirësuar shumë në përgjithësi jetën e qytetarëve në vend”, deklaroi ai.
Tutje, deputeti tha se ka disa faktorë ndikues në këtë ngritje të çmimeve duke filluar sipas tij që nga mos favorizimi i prodhimit vendor dhe ekonomisë së vendit, e deri te politikat qeverisëse.
“Normalisht që këtu refleksion të madh kanë edhe politikat qeverisëse duke mos e favorizuar pordhimin vendor dhe ekonominë e vendit, politikat ndëshkuese qeveritare dhe politikat e kontrollit të tregut e shumëçka tjetër, mos harmonizimi dhe mos disiplinimi i bazës ligjore dhe shumë faktorë të tjerë janë ndikues që në një formë kanë ndikuar në këtë inflacion të lartë”, tha ai.
Më tej. Shala tha se kjo gjendje vështirëson situatën më shumë duke marrë parasysh edhe stagnimin e rritjes së pagave dhe investimeve të huaja.
“Kjo e vështirëson edhe më shumë situatën duke e marrë parasysh që kemi një stagnim të rritjes së pagave, një stangim të investimeve të jashtme dhe një stagnim të madh të çështjes së prodhimit vendor”, theksoi ai.
Për në fund, deputeti i PDK-së tha se nga qeveria aktuale nuk kanë parë ndonjë lëvizje në fushën e ekonomisë dhe investimeve të jashtme, dhe se sipas tij tashmë është pothuajse vonë për të vepruar.
“Tashmë qeveria për të kontrolluar këtë situatë të inflacionit të lartë pothuajse është tepër vonë, nuk ka qartësi dhe nuk kemi pa asnjë lëvizje të mirëfilltë në fushën e ekonomisë, në fushën e investimeve, në fushën e sistemit fiskal dhe tanimë është në fundin e mandatit dhe nuk pres nga kjo qeveri që mund të lëvizë në të mirën e uljes së inflacionit, përkundrazi inflacioni me këto politika aktuale qeveritare dhe me këtë izolim edhe vendor edhe ndërkombëtar dhe me këto politika të goditjes së tregut parimisht nuk pres një stabilitet”, përfundoi deputeti Ferat Shala.
/GazetaBlic/