Sezoni i ri i Superligës së Kosovës filloi këtë javë me ndeshje interesante të xhiros së parë.
Kampioni në fuqi Ballkani e nisi me fitore rrugëtimin për mbrojtjen e titullit duke mposhtur Dukagjinin me rezultat 2-0, shkruan GazetaBlic Sport.
Llapi i Tahir Batatinës barazoi ndaj Gjilanit, teksa skuadra e sapo promovuar, Suhareka barazoi pa gola ndaj Prishtinës.
Trajneri kosovar, Senad Alirifa për GazetaBlic Sport ka analizuar fillimin e sezonit të ri, teksa deklaroi se beson se Ballkani, Llapi dhe Drita janë sërish kandidatët kryesorë për titullin e kampionit.
“Ballkani ka potencial, por kërkon kohë që të komponohet ekipi. Nuk është e lehtë me të gjitha zëvendësimet e bëra. Bindja ime është që Ballkani sërish do jetë pretendenti kryesor për titull.
Llapi kishte kundërshtar të vështirë. Gjilani së fundmi është përforcuar dhe është një nga kandidatët që do të luftojnë për Evropë, kështu që mendoj se epilogu ishte real i atij takimi, teksa besoj që Llapi do jetë sërish në hap së bashku me Dritën dhe Ballkanin në luftën për titull.
Alirifa tutje komentoi edhe debutimin e Suharekës në Superligën e Kosovës, duke potencuar se beson që skuadra nga Theranda do jetë skuadër që do shkaktojë probleme dhe me potencial për të përfunduar edhe në mesin e tabelës të futbollit elitar kosovar.
Nëse e shohim me investime që ka Suhareka, është shumë e fuqishme financiarisht dhe me aq sa e pashë ekipin mbrëmë ndaj Prishtinës, besoj që Suhareka jo vetëm që është për të mbetur në Superligë, por ndoshta do luftojë edhe për pjesën e mesme të tabelës. Me lojtarë dhe lojën që kanë treguar, besoj që do jetë një ekip i mesit të tabelës. Prapë besoj që katërshja e vitit të kaluar do jetë në garë për titull, teksa besoj që prapë Malisheva do i bashkohet atyre“, tha Alirifa për GazetaBlic Sport.


