Lajme

Testimi i Urës së Ibrit: Qeveria insiston në hapje, ndërkombëtarët edhe më të ashpër

08/09/2024 07:29
nga:Sh R

Kamionë me pesha të rënda u panë të enjten mbi urën e lumit Ibër, që u kontraktuan nga Qeveria e Kosovës. Qëllimi ishte testimi i qëndrueshmërisë së urës, të cilën Qeveria po bën përgatitje që ta hapë edhe pse ndërkombëtarët kanë kërkuar që një çështje e tillë të jetë pjesë e dialogut.

Për të arsyetuar vendimin e hapjes së urës për qarkullimin e automjeteve, Qeveria dhe Komuna e Mitrovicës së Veriut organizuan debat publik, por ftesës iu përgjigjen shumë pak qytetarë.

Disa qytetarë serbë shprehën shqetësime se hapja e urës mbi lumin Ibër mund të rrisë tensionet ndëretnike.

Gjatë debatit, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të Policisë ofruan garanci të sigurisë në rast të hapjes së urës për trafik – synim që po kundërshtohet nga serbët lokalë dhe bashkësia ndërkombëtare.

Kurse disa orë më vonë, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka demantuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me testimin e urës mbi lumin Ibër.

KFOR-i ka deklaruar se inspektimi teknik i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë nuk ka qenë në koordinim me ta.

“Jemi në dijeni të raportimeve se inspektimi teknik i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë është koordinuar me misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Kjo nuk është e vërtetë”, tha zëdhënësi i KFOR-it.

“Deklarata jonë e datës 6 gusht 2024 ishte e qartë: Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ozkan Ulutash, është njoftuar nga drejtori i Policisë së Kosovës ditën e inspektimit fillestar, vetëm disa orë para se ai të niste”, ka thënë ai për Klanin.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian tha dje se shpreson që Kosova të dëgjojë mesazhin e bllokut dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë sa i përket vendimeve të fundit, që janë cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se blloku e ka bërë të qartë qëndrimin sa i përket mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në Kosovë nga autoritetet, por edhe synimit të Qeverisë së Kosovës që të hapë për trafikun urën mbi lumin Ibër.