Në muajin e fundit, skena e sigurisë në Kosovë është ballafaquar nga arratisjet e papritura të individëve nga burgje të ndryshme.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për Gazeta Blic, u deklarua eksperti i kriminalistikës Mensut Ademi. Ai tha se të burgosurit kanë fituar një vetëbesim dhe kanë humbur shpresën tek institucionet e Kosovës.
“Qëllimi i arratisjeve nga burgjet është se të burgosurit e kanë fituar një vetëbesim dhe kanë humbur shpresën tek institucionet tona qoftë ato ekzekutive dhe ato gjyqësore, do të thotë e kanë parë politizimin e dy pushteteve, pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorë, dështimin e pushtetit legjislativë dhe në njëfarë mënyre ata po e marrin një vetë gjyqësi. Vetëgjyqësia është ikja nga institucionet korrektuese, ikja nga shteti i tyre apo atdheu dhe lirimi i tyre si vetëgjyqësi për arsye sepse e kanë humbur shpresën në vendimarrjen të gjyqësorit dhe ekzekutivit sipas të drejtave pozitive dhe sipas të drejtës materiale dhe të drejtës procedurale që ata të burgosurë pa marrë parasysh çfarë vepre penale kanë kryer ata dënohen dhe akuzohen sipas të drejtës materiale që është e paraparë në kodin penal”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se të burgosurit e kanë humbur besimin sepse sipas tij institucionet e Kosovës janë duke i gjykuar sipas dinjitetit dhe identitetit të tyre, dhe se në këtë rast nuk duhet fajësuar institucionet korrektuese, por ato që kanë mandat dhe obligim për rehabilitimin e të burgosurve.
“Këta e kanë humbur besimin sepse institucionet tona janë duke i gjykuar edhe sipas dinjitetit dhe identitetit të tyre, kjo është arsyeja që ata janë duke marrur vetëgjyqësi, dhe në këtë vetëgjyqësi i jepet mundësia secilit të arratiset nga institutcionet korrektuese. Në këtë rast ne nuk mundemi me i fajësu institucionet korrektuese sepse ata nuk po kanë mundësi me ardh deri te parandalimi i këtyre arratisjeve, sepse edhe në burgjet e sigurisë së lartë si në Greqi apo Amerikë sot ka arratisje nga institutcionet korrektuese. Në këtë rast nuk mund të i fajësojmë institucionet korrektuese por në këtë rast i fajësojm institucionet që kanë mandat dhe obligimë për rehabilitimin dhe risocializimin e tyre në vendimin apo aktgjykimin që e ka marrë gjykata”, tha ai.
Ademi arratisjet e të burgosurve nga burgjet e Kosovës po i quan si trend të rrezikshëm.
“Ky është një trend i rrezikshëm sepse personat në këtë rast kur kanë aktgjykime mund të kalojnë edhe në vepra të tjera mund të them ekstreme ose radikale gjatë arrestimit të tyre apo veprimit të tyre apo gjatë kohës kur ata janë në liri sepse atyre iu duhet aspekti socio ekonomikë dhe në këtë rast ata nuk e kanë plotësuar nëse janë në Republikën e Kosovës. Kurse nëse janë jashtë Republikës së Kosovës ne e kemi prap problem si shtet sidomos sot që jemi nën sanksione bashkëpunimi institucional Kosovë me shtetet e tjera dhe viteve të fundit është zbehë ky bashkëpunim dhe nuk kemi mundësi reale me ardh deri te arrestimi, parandalimi apo ekstradimi të këtyre të burgosurve nga një vend tjetër në vendin tonë duke u nisur nga fakti që Kosova nuk është pjesë as e Interpolit as e Europolit as e organizatave tjera ndërkombëtare”, përfundoi eksperti i kriminalistikës Mensut Ademi.
/GazetaBlic/