Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve që të bëjnë kujdes gjatë udhëtimeve të tij, derisa ka thënë se Serbia ka riaktualizuar përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e çlirimit të vendit, kryesisht ish pjesëtarë të UÇK-së, raporton Gazeta Blic.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Serbia ka arritur që t’i shtrijë tentakulat e saj edhe në disa vende të rajonit dhe po i shfrytëzon për ndjekje ligjore në vendet jashtë Kosovës.
Haradinaj ka shtuar se një model i tillë ishte aplikuar me rastin e ndalimit të tij në Francë e Slloveni.
Postimi i tij i plotë:
Të nderuar bashkëluftëtarë,
Serbia në kuadër të luftës speciale kundër vendit tonë, ka riaktualizuar përndjekjen e qytetarëve të Kosovës që kanë qenë pjesë e çlirimit të vendit, kryesisht ish pjesëtarë të UÇK-së.
Fatkeqësisht, Serbia ka arritur t’i shtrijë tentakulat e saj edhe në disa vende të rajonit si dhe po i shfrytëzon përparësitë e veta si anëtare e Interpol dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, për ndjekje ligjore në vendet jashtë Kosovës. Një model i tillë ishte aplikuar me rastin e ndalimit tim në Francë dhe Slloveni.
Prandaj ju këshilloj që të bëni kujdes gjatë udhëtimeve tuaja.