Viti i kaluar (2023), ka qenë viti me të cilin Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI), për herë të parë ka bërë ndryshim rreth furnizimit të teksteve shkollore tek nxënësit.
Mënyra me të cilën janë furnizuar ka qenë me anë të subvencionimit në llogaritë bankare të prindërve, ku të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijet e tyre.
Kjo ndodhi pasiqë, Ministria e Arsimit nuk arriti marrëveshje me shtëpit botuese.
Shuma e shpenzuar për subencionimin e tillë ka arritur deri mbi 11 milionë euro, ku prindërit janë subvencionuar me 80 euro për nivelin e nxënësve filloristë, ndërsa për nxënësit e nivelit të mesëm të ulët me nga 30 euro.
Megjithëse, Ministria e Arsimit për vitin e ri shkollor 2024/2025 ende nuk ka njoftuar se si do të bëhet furnizimi me tekste shkollore.
Por, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, në një prononcim për GazetaBlic thotë se pavarsisht që ne si drejtori jemi përkujdesur gjithmonë për shpërndarjen e teksteve shkollore, gjatë vitit të kaluar nuk e kemi pas një rol të tillë. Por, Lushaku-Sadriu tha se nuk kemi asnjë njoftim nga MASHT-i në lidhje me furnizimin e librave shkollorë.
“Ne jemi përkujdesur gjithmonë për shpërndarjen e librave, por, meqë vjet është marrë vendim me u subvencionu prindërit direkt, DKA nuk e ka pas më rolin e shpërndarjes sepse kanë qenë prindërit ata që e kanë bërë mbledhjen e librave. Këtë vit nuk kemi ende asnjë lajmërim nga ministria se si do të bëhet. Ne e kemi bërë përcaktimin e librave ashtu se si i bëjnë shkollat gjithmonë, e cila është një procedurë e rregullt, por, për mënyrën e shpërndarjes ende nuk e dimë, asnjë lajm nuk e kemi”, u shpreh Lushaku-Sadriu.
Derisa, gjatë vitit të kaluar me procesin e subvencionimit të librave , shumë nxënës kanë mbetur deri në fund të vitit (2023) pa furnizim të teksteve shkollore, të cilët kanë hasur problem gjatë aplikimit të të hollave.
E, për këtë, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, shpreson që gjatë këtij viti të ri shkollorë tekstet do të shpërndahen para fillimit të muajit shtator, në atë mënyrë që të mos të ketë vonesa, që sipas tij, viti i kaluar duhet të jetë mësim për institucione adekuate.
“Unë ende shpresoj shumë që tekstet shkollore do të shpërndahen në kohë tek nxënësit para fillimit të shtatorit. Nuk guxoj të mendoj që edhe këtë vit të ketë vonesa në paisje me tekste, veçanërisht kur procesi i subvencionimit tashmë ka kaluar një vit, dhe është një mësim të mirë për institucionet”, tha Qehaja për GazetaBlic.
Tutje ai thotë se MASHT-i dhe të gjithë akterët e tjerë që janë të përfshirë me furnizimin e teksteve shkollore duhet vetëm t’i respektojnë afatet ligjore për procesin e përzgjedhjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore.
“MASHTI, dhe të gjithë akterët e tjerë, përfshirë, komunat, institucionet arsimore, dhe shtëpitë botuese, duhet vetëm të respektojnë afatet ligjore të procesit të përzgjedhjes, botimit dhe shpërndarjes së teksteve shkollore. Ligji për Tekste Shkollore dhe legjislacionit sekondar e mirë përcaktojnë tërë procesin”, përfundoi ai.
/GazetaBlic/


