Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës është mbyllur me 36 ligje të miratuara, prej të cilave 20 marrëveshje ndërkombëtare.
Lidhur me këtë çështje në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ai tha se në këtë sesion pranveror Kuvendi ka dështuar të përmbushë rolin kushtetues, si dhe përmendi disa nga karakterizimet e punës së Kuvendit.
“Kuvendi ka dështuar ta përmbushë rolin kushtetues në sesionin pranveror për vitin 2024. Puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa kronike e korumit në vendimmarje, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrjet e kundërligjshme, nga cenimi i vazhdueshëm i institucioneve të pavarura me rastin e raportimit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe nga kabineti qeveritar, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit, nga mbikëqyrja e dobët parlamentare, nga injorimi i qeverisë përballë deputetëve dhe nga gjuha joparlamentare, seksiste, raciste, mizogjene dhe homofobe”, deklaroi ai.
Tutje ai tha se kryesia e Kuvendit ka dështuar në propozimin e sesionit të punës dhe kalendarit të punimeve njëmujore të Kuvendit, në seancën plenare.
“Lidhur me planifikimin e punëve, Kryesia e Kuvendit ka dështuar që ta propozojë në seancën plenare programin e sesionit të punës, e po ashtu edhe kalendarin e punimeve njëmujore të Kuvendit. Për pasojë kjo situatë solli edhe problemin e vazhdueshëm të mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës, mosefikasitet që u bartë nga një vit në tjetrin. Vet sesioni pranveror filloi me 30 pika që u bartën nga viti 2023”, tha ai.
“Sa i përket mungesës së kuorumit, ai prodhoi mosefikasitet, dhjetëra vazhdime të seancave të rregullta të cilat nuk arritën të përfundojnë për shkak të mungesës se vazhdueshme të kuorumit, fillimisht nga shumica parlamentare, e më pas edhe nga mungesa e deputetëve thirrës të këtyre seancave, kryesisht opozitës parlamentare”, vazhdoi tutje ai.
Jakaj tha se IKD-ja vlerëson se Kuvendi kishte mungesë të efikasitetit, nuk mori parasysh vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile, e po ashtu të ambasadave në Kosovë.
“Në lidhje me aktivitet legjislative, IKD vlerëson se Kuvendi kishte mungesë të efikasitetit, procedoi dhe votoi ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mori parasysh vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile, e po ashtu të ambasadave në Kosovë”, përfundoi Naim Jakaj nga IKD-ja.
/GazetaBlic/