Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës është mbyllur me 36 ligje të miratuara, prej të cilave 20 marrëveshje ndërkombëtare. Kështu deklaruan të hënën në një konferencë për media përfaqësuesit e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, grupi më i madhi në Kuvend, duke e vlerësuar gjithashtu të suksesshëm këtë periudhë të Kuvendit.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, (KDI). Ajo tha se sipas vlerësimeve të tyre, ky sesion pranveror nuk ka qenë i suksesshëm dhe se janë miratuar vetëm dy marrëveshje ndërkombëtare.
“Sipas vlerësimit tonë nuk ka qenë një sesion i suksesshëm siç është vlerësuar nga partia në pushtet, ndonëse janë miratur 36 ligje, fatkeqësisht nga agjenda legjislative e qeverisë e vitit 2024 janë miratuar vetëm dy marrëveshje ndërkombëtare dhe asnjë projektligj, d.m.th agjenda e vitit 2024 fare nuk është trajtuar në këtë sesion dhe mbetet komplet për trajtim në sesionin vjeshtor”, deklaroi ajo.
Tutje, ajo tha se ka mbetur një numër i madh i deputetëve pa parashtuar pyetje parlamentare, dhe se sipas saj ka vazhduar trendi i mungesave të deputetëve pa arsye.
“Po ashtu, edhe në aspektin e mbikqyrjes ka vazhduar trendi i një mbikëqyrje jo shumë aktive të deputetëve të Kuvendit, mbetet një numër i madh i deputetëve që nuk kanë parashtruar pyetje parlamentare, te aspekti i mungesave ka vazhduar trendi i mungesave të deputetëve pa arsye, kështu që shumë seanca kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit dhe për rezultat ka pasur një numër të madh të vazhdimit të seancave”, tha ajo.

Haxholli tha se sesioni pranveror i Kuvendit është mbyllur shumë herët edhe pse sipas rregullores mbyllet me 31 korrik dhe se prej fillimit të muajit korrik sipas saj nuk ka pasur seanca.
“Sesioni është mbyllur shumë herët, seanca e fundit është mbajtur në fillim të korrikut dhe nga ajo kohë nuk ka pasur më seanca, ndërsa sipas rregullores sesioni mbyllet me 31 korrik, ka pasur rreth 12 javë të sesionit ku nuk janë mbajtur fare seanca, pra planifikimi i punës së Kuvendit ka qenë shumë i dobët, ku ka rezultuar me një numër të madh të javëve pa seanca”, tha Haxholli.
Më tej, ajo tha se lajmi i mirë për këtë sesion pranveror ka qenë rikthimi i sisemit elektronik në Kuvend.
“Sa i përket transparencës së Kuvendit lajmi i mirë këtë sesion ka qenë që është rikthyer sistemi elektronik në Kuvend dhe shpresojmë që nga sesioni vjeshtor do të kemi mundësi të regjistrimit dhe votimi elektronik pasi që ka pothuajse që tri vite që qytetarët dhe shoqëria civile nuk e dimë si kanë votuar deputetët e Kuvendit dhe presim që në sesionin vjeshtor veçse të jetë funksional sistemi elektronik”, u shpreh ajo.
Po ashtu, ajo tha se nuk ka pasur asnjë raportim të kryeministrit Kurti në Kuvend, si dhe as të ministres së jashtme, Donika Gërvalla.
“Sa i përket raportimeve të Qeverisë, nuk ka pasur asnjë raportim të kryeministrit në Kuvend. Ai i ka informuar deputetët në mënyrë sporadike gjatë deklarimeve në seanca, nuk ka pasur një raportim për çështjen e dialogut apo ngjarjet në veri ndonëse ka pasur zhvillime në këtë drejtim. Po ashtu, nuk ka pasur llogaridhënie në plan të ekzekutivit në këtë aspekt, nuk ka pasur asnjë raportim të ministres së jashtme Gërvalla në komisionin për punë të jashtme, ndonëse Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Këshill të Evropës”, theksoi ai.
Tutje, ajo tha se sa i përket transparecës së komisioneve ende mungojnë dokumente të cilat do të publikohen me kohë nga komisionet.
“Sa i përket transparencës së komisioneve, ende po mungojnë dokumentet të cilat do të publikohen me kohë nga komisionet siç janë transkriptat e proces verbalit, po ashtu nuk ka fare regjistrim të mbledhjeve nga ana e Kuvendit për komisonet ad-hoc që janë komisione që krijohen nga ana e Kuvendit për periudha afatshkurtëra dhe komisonit hetimore”, potencoi Haxhiolli.
Për në fund, Haxhiolli tha se ky sesion pranveror ka disa mangësi e që sipas saj do të adresohen në sesionin e ardhshëm të Kuvendit.
“Nëse hyjnë te faqja e kuvendit, qytetarët nuk mund të gjejnë asnjë informacion as tek lajmet për mbledhje e këtyre komisioneve. Pra, ka disa mangësi për të cilat duhet të adresohen në sesionin e ardhshëm të Kuvendit”, përfundoi Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në Institutin Demokratik të Kosovës.
/GazetaBlic/


