Lajme

Haradinaj thirrje serbëve në veri: Mos bini pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër hapjes së urës së Ibrit

08/07/2024 11:04
nga:G B

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos protestojnë kundër hapjes së urës së Ibrit, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai u ka bërë thirrje që të mos bien pre e politikave shkurtpamëse, derisa ka shtuar se urat janë që të na lidhin dhe jo të na ndajnë.

Ai ka shtuar se ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë.

Postimi i tij i plotë:

Qytetarë serbë të Kosovës,

Urat dhe rrugët duhet të na lidhin e jo të na ndajnë. Mos u bëni pre e politikave shkurtpamëse e të protestoni kundër lëvizjes së lirë.

Ura e Ibrit duhet të jetë simbol i një jete të përbashkët e të pa alternativë.

Liria e lëvizjes si vlerë universale është e sotmja dhe e ardhmja. Ndarjet e përplasjet na rikthejnë në memorie të kaluarën e tragjeditë tona.