Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Kurti rreth qeverisjeve të mëhershme.
Bajrami duke kritikuar fortë kryeministrin Kurti dhe partinë e tij, nuk la pa përmendur edhe premtimet e tij, gjatë fushatës elektorale.
Tutje, Bajrami në një përgjigje për GazetaBlic kritikon qeverisjen e Kurtit edhe për rritjen e pagave të zyrtarëve dhe rritjen e çmimeve, duke theksuar se inflacioni është rritur dhe ka pasur një ndikim negativ në jetën e qytetarëve, ndërsa sipas saj, qeveria ka transferuar pasurinë nga qytetarët në buxhetin e shtetit dhe më pas në dorën e zyrtarëve të saj dhe miqve.
Sipas Bajramit, kjo Qeveri ka dështuar fuqishëm në menaxhimin e buxhetit dhe të ekonomisë në përgjithësi.
Më poshtë gjeni kundërpërgjigjet e Bajramit ndaj deklaratave të Kurtit:
1.Gjendja ka qenë e rëndë, dikur edhe vera ka qenë dimër – (Deklaratë e Kurtit)
Kur ka qënë vera dimër? Atëherë kur kryeministrat e Kosovës i kishin dyert e hapura në Shtëpinë e Bardhë e nënshkruante marrëveshje, apo tani kur Kryeministri në SHBA s’mund takojë tjetër pos menaxhmetin e UBER-it? A ka qenë vera dimër kur Kosova nënshkruante marrëveshjen e Stabilizim Asociimit apo që 14 muaj që Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së? Që tri vite e gjysmë asnjë njohje, asnjë antarësim, asnjë projekt asnjë investim, asnjë premtim i realizuar, veç patriotizëm fallca nga dezertorët e dikurshëm, por duhet ta kemi parasysh se varet prej cilës perspektivë e sheh Albin Kurti verën dhe dimrin: si puna e xhipave të zi, besoj se ju kujtohet.
2.Korrupsioni pat pllakosur qeverisjet e mëhershme në majat e saj – (Deklaratë e Kurtit)
Kurti ka ardhë në pushtet duke premtuar që ka për ta bërë Dubravën 12 katë – që do t’i ndëshkojë të korruptuarit. Deri sot asnjë rezultat.
Në ndërkohë korrupsioni që po bën LVV në pushtet ka lënë nën hije çdo të korruptuar në historinë 20 vjeçare të qeverisjeve të kaluara: Korrupsion me Martin Berishaj, korrupsion Nagip Krasniqi, korrupsion 900 kontrata sekrete në vlerë mbi 240 milionë euro, korrupsion me rezerva shtetërore, korrupsion në ministri të infrastrukturës (tendera për shefat e mëparshëm), korrupsion me subvencione në Ministrinë e Kulturës, korrupsion me çmime të barnave, korrupsion me drejtësi. LVV sot është bërë sinonim i korrupsionit.
3.Buxheti i shtetit, zhvatej nga klikat e partive në koalicionin qeverisës – (Deklaratë e Kurtit)
A nuk është zhvatje me pagu Gani Jakupin 7000 euro në muaj e me i lënë minatorët pa pagë që dy muaj?
A nuk është zhvatje me pagu darka e dreka në Prishtinë gjoja për lobim në Amerikë?
A nuk është zhvatje me ble 3.4 milionë euro orendi për zyre?
A nuk është zhvatje me hargju miliona për dreka e darka zyrtare?
A nuk është zhvatje me ble qindra mijëra euro për telefona?
A nuk është zhvatje me ju dhanë familjarëve qindra mijëra euro subvencione për OJQ-të e tyre?
A nuk është zhvatje me ju dhanë dostave mbi 240 milionë euro tendera sekret?
Për çfarë zhvatje e ka pasë fjalën z.Kurti?
4.Taksat qe derdheshin te thesari i shtetit nga djersa e qytetarëve, përfundonin në xhepat e pushtetarëve – (Deklaratë e Kurtit)
Albin Kurti me të marrë mandatin e ka rritë pagën e vet dhe të krejt kabinetit me rreth 50%, e ka ngritë çmimin e rrymës mbi 100%, e ka soditë inflacionin i cili ka rritë çmimet me mbi 50%, në saj të cilit sot po i vjelë dhunshëm xhepat e qytetarëve. Përmes inflacionit po ndodhë transfer i lirë i parasë nga xhepat e qytetarëve në thesarin e Shtetit e mandej Albini & Co, përmes tenderave njëburimor po i transferojnë te dostat. Ky është realiteti që po e jetojmë – qyetatarë të varfër e pushtetarë të pasur andaj edhe gjithë kjo propoagandë. ,
Albin Kurti për të mbuluar dështimin përdor fjali si “vera dimër e dimri verë”, “qeverisjet e kaluara” duke folë në përgjithësi pa qenë në gjendje me veçu një emër të vetëm. Ai po harron se tani në historinë e qeverisjes së këtij vendi ai ka marrë pjesë pothuaj sa secila parti tjetër vetëm se trashegimia e tij është zero – jo zero është izolimi i vendit, korrupsioni dhe nepotizimi.
Natyrisht se Albini nuk mund të fliste në terma konkretë me mergimtarët, nuk mund të thoshte se i ka ndërtu 160 çerdhe, sepse nuk e ka bërë një gjë të tillë, nuk mund të ju thoshte se e ka liru çmimin e energjisë, as që e ka liru çmimin e bukës, vajit, sheqerit sepse nuk e ka bërë një gjë të tillë, nuk mund të ju fliste as për sigurime shëndetësore, as për 4000 banesa për çiftet e reja, as për ndërtimin e 5 shtwpive për të moshuarit, as për ndërtim të rrugëve, urave, tuneleve e magjistraleve, as për integrime euroatlantike dhe antarësim në organizata ndërkombëtare, as për Fondin Sovran e Bankën Zhvillimore, sepse këto nuk janë bërë.
Kujtojmë se, në një takim me mërgatën mbrëmë, kryeministri Albin Kurti, iu foli atyre edhe për ‘korrupsionin në qeveritë e mëhershme’, nëpërmjet katër fjalive të rënditura më lartë./GazetaBlic/