“Nuk mund të shpjegohet e as të vlerësohet ndryshe, përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.
Kështu e quajti Presidenca e Kosovës incidentin që i ndodhi presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, mbrëmjen e së enjtes.
Por, për kryeministrin Albin Kurti ky incident nuk ishte provokim.
Madje, sipas tij, deklaratën se incidenti ishte provokim nuk e kanë “thënë institucionet e Republikës” por “ndokush prej qytetarëve”.
“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë (se ishte provokim). Mund ta këtë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës. MPJD e ka dhënë deklaratën saj, që paraqet qëndrimin e Qeverisë, gjithashtu edhe qëndrim edhe MPJ-e Maqedonisë së Veriut e kemi parë. Besoj që duhet ta synojmë të vërtetën dhe kuruese tensionimin. Pra le të zbardhet rasti janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë”, ka thënë Kurti.
“Ka qenë përvojë dhe përjetim i rëndë i presidentes Osmani më 1 gusht, aq më tepër që ishte me dy vajzat e vogla”, tha Kurti.
Ndërsa, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar Presidenca e Kosovës, derisa trajtimin e incidentit në konferencën e djeshme e ka quajtur për keqardhje.
“Presidentja e Republikës së Kosovës ASNJËHERË nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën. Mënyra se si u trajtua incidenti ndaj Republikës së Kosovës në Shkup gjatë konferencës së djeshme për media, është për keqardhje, sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës. Ajo që ka ndodhur në aeroportin e Shkupit ka qenë shkelje e qartë e rregullave ndërkombëtare të njohura dhe aplikuara botërisht, prandaj Presidenca pret të njoftohet për masat e ndërmarra lidhur me këto shkelje, ashtu siç është potencuar edhe në notën e protestës të drejtuar nga Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e presidencës.
Deklaratat e Kurtit e Osmanit u cilësuan si deklarata që tregojnë përçarjen mes tyre, derisa dallimet kanë filluar që në muajin maj, për letrën e dërguar në Këshill të Evropës për Asociacionin.
Por, të kthehemi pak në kohë, disa vite më parë kur Kurti e Osmani bashkuan forcat për një marrëveshje dhe morën pjesë bashkë në zgjedhje.
Derisa më parë ishin kundërshtarë politikë, në zgjedhjet e vitit 2021 ata garuan bashkë në listë zgjedhore.
Në atë kohë, dyshja patën deklaruar se marrëveshja e arritur mes tyre përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Marrëveshja e arritur sot përfaqëson vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ju njoftojmë për bashkimin tonë që shkon përtej. Për dy dekada vendi ynë është udhëhequr nga një mendësi politike e gabuar. Për ta ndryshuar këtë, ne do të garojmë së bashku në listat që do të flasin me zërin tuaj, do të frymojë siç frymoni ju dhe do të guxojë ti bëjë ballë çdo sfide ashtu si ju. Kjo që është arritur sot shkon përtej emrave individualë apo bindjeve ideologjike. Sepse kjo marrëveshje në fondament ka qëllimet e përbashkëta, atë të luftimit të kapjes së shtetit dhe angazhimin në rimëkëmbjen në dinjitet dhe në shtet”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, Albin Kurti kishte thënë se partitë e vjetra ishin në garë për vendin e dytë, ndërsa që ai garonte për kryeministër e Vjosa Osmani për presidente, siç dhe ndodhi më pas.
“Nuk ka më pengesa që nuk janë të tejkalueshme. Nuk ka pengesë që të na ndalë. Në Kosovë ka garë të ashpër mes dy partive të vjetra. Gara është për vendin e dytë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në atë garë unë dhe zonja presidente nuk kemi çfarë të kërkojmë”, kishte deklaruar Kurti.
E, një deklaratë që pati bërë bujë 4 vite më parë, ishte ajo e Osmanit se edhe zogjtë e malit e dinë raportin e saj me Kurtin.
“Në nivel të bashkëpunimit është botërisht e ditur se unë kam mospajtime të thella me mënyrën se si e bën politikën dhe si e përfaqëson vendin presidenti Thaçi, kurse kam shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta me kryeministrin aktual, besoj këtë edhe zogjtë e dinë”, kishte deklaruar Vjosa Osmani si kryetare e Kuvendit, në maj të vitit 2020.
Nuk e dimë nëse edhe tani zogjtë e malit e dinë për përplasjet e tyre si kryeministër e presidente.
Përçarja mes tyre tani duket të jetë mjaft e madhe, derisa nuk dihet nëse dyshja do të përafrojnë qëndrimet apo do t’i thellojnë mospajtimet.
Kjo mbetet për t’u parë në vazhdimësi, se si do të rrjedhin zhvillimet politike./Gazeta Blic/


