Lajme

Deputeti i PDK-së mbështet hapjen e urës së Ibrit: Qeveria t’i bindë ndërkombëtarët se s’do të ketë tensione

08/06/2024 12:21
nga:G B

Qeveria e Kosovës po insiston në hapjen e urës së Ibrit.

Por, për këtë nuk ka përkrahje nga bashkësia ndërkombëtare.

Këtë ia kanë bërë të ditur ditë më parë kryeministrit Kurti ambasadorët e QUINT-it.

Sipas tyre, nuk është koha e duhur për ta hapur tani.

Ndërsa, Bashkimi Evropian thotë se çdo vendim për urën e Ibrit duhet të diskutohet në dialogun në Bruksel.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se e mbështetë personalisht hapjen e urës, teksa shton se kjo kërkon përgatitje dhe garanci nga qeveria për të parandaluar tensionet.

“Mbështetja për hapjen e Urës së Ibrit është e kuptueshme dhe e drejtë. Personalisht, e mbështes hapjen e urës për këmbësorë dhe mjete transporti, ashtu si në urat tjera mbi Lumin Ibër. Kjo kërkon përgatitje të duhur dhe garanci se qeveria është e gatshme të marrë masat e nevojshme për të parandaluar çdo incident apo tension”, thotë ai.

Deputeti thekson se hapja e urës është hap i nevojshëm për të siguruar lirinë e lëvizjes.

“Mbyllja e Urës së Ibrit është një pengesë për lëvizjen e lirë dhe integrimin e komuniteteve. Hapja e kësaj ure është një hap i nevojshëm për të siguruar lirinë e lëvizjes dhe për të forcuar kohezionin shoqëror dhe ekonomik ndërmjet dy pjesëve të qytetit, duke respektuar parimet e BE-së, MCA-së dhe Procesit të Berlinit”, vlerëson Berisha për Gazeta Blic.

Ai shton se Kurti duhet të sqarohet me ambasadorët e QUINT-it për disa çështje.

“Në lidhje me takimin e Kryeministrit me përfaqësuesit e QUINT, duhet të sqarohen disa çështje: Çka i thanë ambasadorët e QUINT Kurtit për iniciativën e hapjes së urës? A është ideja për një takim me mërgimtarë mbi urë provokim për futjen e saj nën administrim ndërkombëtar të NATO-s dhe KS/OKB-së? A do të çojë kjo në vendosjen e KFOR-it mbi urë dhe tensione të mëtejshme?” potencon deputeti.

Berisha thotë se Kurti insiston ta hapë tani urën për shkak të efektit elektoral.

“Nëse Kryeministri Kurti po insiston të hapë urën për efekte elektorale, kjo është një taktikë e shkollës së vjetër të regjimeve totalitare komuniste, e cila nuk do të mashtrojë qytetarët kosovarë që tashmë janë emancipuar. Kur është në pyetje vota, qytetarët do të adresojnë pyetje për kauzat, premtimet dhe zotimet e qeverisë, duke kërkuar rezultate konkrete në fusha si lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik, arsimimi dhe shëndetësia”, shprehet ai.

Krejt në fund, ai thotë se ura duhet të hapet por ndërkombëtarët duhet të binden që qeveria është e gatshme ta mbajë situatën nën kontroll.

“Qytetarët e dinë që Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës dhe mbrohet nga Kushtetuta dhe Forcat e Armatosura të Kosovës. Hapja e Urës së Ibrit duhet të ndodhë, por duhet të bindim partnerët tanë se qeveria është e gatshme të mbajë situatën nën kontroll. Një zgjidhje e qëndrueshme kërkon përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara për të siguruar paqe dhe stabilitet afatgjatë, dhe për përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohjen e ndërsjellë dhe ratifikimin ndërkombëtar të kufirit Kosovë-Serbi”, përfundon deputeti i PDK-së, Hisen Berisha./Gazeta Blic/