Tash e sa vite me radhë, vazhdon pasivizimi i adresave të shqiptarëve në tri qytetet e Luginës së Preshevës (në Metvegjë, Bujanoc e Preshevë). Kur një qytetar shqiptar “pasivizohet”, ai humb vendbanimin, të drejtën e trashigimisë, të drejtën ta përditësojë letërnjoftimin ose pasaportën, të drejtën e pensionimit e të tjera.
E, për këtë, Kryetari i Këshillit Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu, në një pronocim për GazetaBlic, ka thënë se pasivizimi i adresave të shqiptarëve ka arritur në shifra alarmante.
Lutfiu, vlerëson se komuniteti shqiptar në Serbi është më i diskriminuari në Evropë, që sipas tij, sa i përketë punësimeve, institucionet shtetërore në Serbi i injorojnë kuadrot shqiptare duke i sjellë kuadrot serbe për t’i punësuar brenda komunitetit shqiptar.
“Shqiptarët në Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Europë. Pasivizimi adresave ka mbërri në shifra të frikshme, pra spastrim i pastër etnik. Sa i përketë punësimeve kuadrot shqiptare injorohen, ndërsa institucionet shtetërore sjellin kuadro nga qytete të tjera të Serbisë për të punuar në vendin tonë”, thotë ai.
“Mosnjohja e diplomave të të rinjve të Luginës që i kanë përfunduar studimet në Kosovë, mbetet një pengesë shumë e madhe sepse shumë gjenerata si rezultat i kësaj kanë emigruar nga vendi ynë”, tha Lutfiu.
Po ashtu, ai ka paralajmëruar protesë gjithëpopullore me datë 12 gusht nga ora 11:00 në qendër të Bujanocit, që shkak ka diskriminimin e vazhdueshëm që po bëhet mbi shqiptarët.
Ndërsa, deputeti shqiptar në kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e quan selektive pasivizmin e adresave, që sipas tij, po zbatohet vetëm ndaj shqiptarëve dhe është diskriminuese.
Ai tha për GazetaBlic se kjo masë diskriminuese në bazë të Kushtetutës së Serbisë është e ndaluar për ndërhyrjen e shtetit në ndryshim të strukturës etnike.
“Shumë herë e kemi cilësuar këtë masë si selektive sepse po zbatohet vetëm ndaj shqiptarëve dhe është diskriminuese. Kjo masë administrative policore po ndikon në ndryshimin artificial të strukturës etnike të këtyre komunave. Si masë e këtillë diskriminuese, ajo, edhe nga këndvështimi i legjislacionit aktual serb është e ndaluar, sepse vet Kushtetuta e Serbisë ndalon ndërhyrjen e shtetit për të ndryshuar strukturën etnike me masa administrative”, tha Kamberi.
Ndryshe, Kamberi thekson se këto masa diskriminuese po bëhen edhe përpara syve të BE-së.
“Mjerisht, këto masa diskriminuese po zbatohen përpara syve të Bashkimit Europian, i cili, veç konstatimit të gjendjes nuk ka kërkuar nga Serbia asnjëherë për ta ndaluar këtë praktikë”, deklaroi Kamberi.
Gjithashtu, në lidhje me pasivizimin e adresave të shqiptarëve, analisti politik Gazmir Raci, fajin kryesor e hudhë tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që sipas tij, e ka projekt të qëllimshëm për ta depopulluar Luginën, e që është toleruar në masë të madhe nga BE-ja.
“Natyrisht, është projekt i qëllimshëm i Aleksandër Vuçiq-it për me depopullu Luginën e Preshevës me shqiptarë, dhe Bashkimi Evropian e ka toleruar në masë të madhe se Serbia është kandidate për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe nuk do të duhej të lejohej të bëhej një spastrim i tillë etnik i shqiptarëve nga ana e administratës shtetërore të Serbisë”, u shpreh Raci për GazetaBlic.
Ai, tutje shton se për mos shpopullimin e shqiptarëve duhet të lobojë Republika e Shqipërisë e cila e ka obligim më të madh ligjor dhe kushtetues për t’i mbrojtur shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë zyrtare.
“Kosova duhet me lobu sa më shumë, por, në këtë rast mendoj që Republika e Shqipërisë ka obligim më të madh ligjor dhe kushtetues me i mbrojtë shqiptarët që janë jashtë Shqipërisë zyrtare. Shqipëria është anëtare e Bashkimit Evropian, po ashtu, është kandidate për Bashkim Evropian dhe do duhej të lobonte shumë më shumë, përderisa, edhe ne duhet me angazhu, po, ne ende nuk e kemi statusin e vendit kandidatë”, përfundoi ai.
/GazetaBlic/


