Ndërkombëtarët nuk e përkrahin hapjen e Urës së Ibrit tani.
Kështu bënë të ditur ditë më parë ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, derisa u takuan me kryeministrin Albin Kurti.
Por, Qeveria është e bindur se ura duhet të hapet, teksa thotë se hapja e saj nuk është kundër askujt por për liri të lëvizjes.
Lidhur me këtë çështje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë dhe mbyllja e saj ka krijuar ndarje e tensione.
“Fillimisht, mendoj se ura e Ibrit nuk është dashur të mbyllet kurrë. Mbyllja e saj ka krijuar ndarje dhe tensione, duke ndikuar negativisht në bashkëjetesën dhe integrimin e qytetarëve atje”, thotë ai.
Sipas deputetit, kërkesa e Qeverisë për hapje të saj është legjitime.
“Është krejtësisht kërkesë legjitime e Qeverisë së Kosovës të kërkojë hapjen e saj. Çdo ndalesë e lëvizjes së lirë në pjesën veriore të vendit nënkupton se institucionet tona nuk kanë sovranitet të plotë në të gjithë territorin e Kosovës. Për ne, hapja e urës është e rëndësishme edhe për sytë e qytetarëve tanë, për ndjenjën e sigurisë dhe besimit në shtetin dhe institucionet e saj”, vlerëson Agusholli për Gazeta Blic.
Ai potencon se duhet të gjendet një zgjidhje që pa tensione dhe zhurmë e zgjidh këtë çështje me aleatët ndërkombëtarë.
“Duhet të gjendet një zgjidhje e cila, pa tension dhe pa shumë zhurmë, e zgjidh këtë çështje bashkë me aleatët tanë ndërkombëtarë. Bashkëpunimi me aleatët është kyç për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme dhe për të siguruar që hapja e urës të realizohet në mënyrë paqësore dhe efektive”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/