Lajme

Kurti të hënën në vizitë zyrtare në Maqedoni të Veriut

08/04/2024 15:00
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të bëjë një vizitë pune në Maqedoni të Veriut, ndërsa do të jetë i shoqëruar nga ministrat e kabinetit qeveritar.

Kjo është bërë e ditur për Dukagjinin nga Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Në përgjigjen e tij thuhet se vizita është dakorduar më 20 korrik.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet. Realizimi i kësaj vizite është dakorduar me 20 korrik”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kjo vizitë ndodh në kohën kur Kosova i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të incidentit që ndodhi në aeroportin e Shkupit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kur policia e aeroportit i ka kërkuar kësaj të fundit që të dorëzojë çantën e dorës dhe telefonin celular për kontroll, pas çka ka pasuar një zënkë mes sigurimit të Presidentes dhe atyre të aeroportit.