Shefi politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në fillim të kësaj jave nga një “predhë me rreze të shkurtër” e lëshuar nga jashtë rezidencës së tij në Teheran, ka thënë Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC).
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, IRGC tha se bazuar në hetimet e kryera deri më tani, sulmi kundër Haniyeh “u krye duke gjuajtur një predhë me rreze të shkurtër që mbante rreth 7 kg lëndë shpërthyese dhe u nis nga jashtë rezidencës së mysafirëve”.
Aty thuhet gjithashtu se Izraeli do të marrë “një dënim të ashpër në kohën dhe vendin e duhur” për vrasjen e Haniyeh, për të cilën IRGC tha se ishte “mbështetur nga qeveria kriminale” e Shteteve të Bashkuara.
Izraeli as nuk e ka konfirmuar e as mohuar një rol, ndërsa ShBA-ja ka thënë se “nuk ishte në dijeni ose nuk ishte e përfshirë në” vrasjen e Haniyeh që kërcënon të zhysë Lindjen e Mesme në konflikt të mëtejshëm mes luftës së pamëshirshme të Izraelit në Rripin e Gazës.
Udhëheqësi palestinez dhe truproja e tij u vranë në një shtëpi pritjeje të qeverisë iraniane në Teheran në orët e para të së mërkurës.
Haniyeh kishte shkuar në kryeqytetin iranian për të marrë pjesë në inaugurimin e të sapozgjedhurit iranian Masoud Pezeshkian, shkruan Al Jazeera