Lideri i Hezbollahut, i cili ka folur në funeralin e komandantit të vrarë Fuad Shukr, ka paralajmëruar Izraelin me hakmarrje.
Sipas mediave të huaja, Sayyed Hassan Nasrallah paralajmëroi se konflikti me Izraelin kishte hyrë në një “fazë të re”, pasi Benjamin Netanyahu mori përgjegjësinë për sulmin që vrau gjithashtu një këshilltar ushtarak iranian, dy fëmijë dhe dy gra.
Kjo fazë ishte “ndryshe nga periudha e mëparshme”, tha zoti Nasrallah. Hezbollahu dhe Izraeli janë përleshur në kufirin libanez që nga 8 tetori, por rrallë herë kanë sulmuar më thellë në territorin e secilit komb.
“A presin që haxhi Ismail Haniye të vritet në Iran dhe Irani të heshtë?”, tha ai për Izraelin. Izraeli nuk ka komentuar pasi Haniyeh, lideri politik i Hamasit, dyshohet se u vra në Iran brenda disa orësh pas vdekjes së Shukr.
Duke iu drejtuar izraelitëve që festuan dy vrasjet, ai tha: “Qeshni pak dhe do të qani shumë”.
Zoti Nasrallah ishte i paqartë në komentet e tij, duke u zotuar për një “hakmarrje të studiuar shumë mirë” pa thënë se çfarë forme do të kishte.
Izraeli “do të duhet të presë për zemërimin e popullit të nderuar të rajonit”, tha ai, si dhe duke aluduar për një përgjigje të mundshme ndaj SHBA-së.
Ai mohoi që Hezbollahu të ketë kryer sulmin vdekjeprurës në një fushë futbolli në Lartësitë Golan, të cilën Izraeli e përdori si justifikim për vrasjen e Shukr.
“Ne kemi guximin të marrim përgjegjësinë për vendin ku godasim, edhe nëse është gabim. Nëse do të bënim një gabim, do ta pranonim dhe do të kërkonim falje,” tha ai.
“Armiku e bëri veten gjykatës, juri dhe xhelat pa asnjë provë”, shtoi ai më tej.
/Euronews Albania/