Në orën 14:00 pritet të fillojë takimi ndërmjet Presidentes Osmani dhe kryetarëve të partive politike për të diskutuar për datën e zgjedhjeve.
Në lidhje me këtë takim ka folur për “Gazeta Blic” njohësi i zhvillimeve politike, Visar Xani.
Xani e cilësoi takimin si pozitiv duke theksuar se nga konsultimet nuk ka asgjë negative.
“Ky takim mund të ndihmojë fillimisht që ti qartojë pozicionet e liderve politikë ose krerëve të partive politike por që i mbetet Presidentes të bëjë vlerësim real dhe mos të mendojë nga aspekti politik por të mendojë nga aspekti taktik pra në të mirën e qytetarëve dhe në atë se çfarë vërtet interpreton dhe e detyron Kushtetuta.Unë besoj se çdo konsultim që bëjnë partitë politike ose liderët politikë ose që thërriten nga Presidentja është pozitiv për shkak se nga konsultimet nuk ka asgjë negative por mund të nxjerrin rezultate pozitive qofshin ato me qëndrime të kundërta”
Ai tutje tha se subjetet politike duhet të shkojnë në takim pa paragykime por me ide dhe alternativa të qarta.
“Prandaj konsideroj se takimi si i tillë është në frymën Kushtetuese që e obligon në njëfarë mënyre Presidenten ose i jep konotacion që Presidentja duhet realisht të ushtrojë mandatin e saj por që edhe partitë politike duhet të shkojnë pa paragjykime por duhet të shkojnë me ide dhe alternative të qarta me qëllim që të kemi një orientim final se kur mund të shkohet në zgjedhje ose kur janë gati partitë politike. Shpeshherë të lejnë të kuptosh se të gjitha partitë janë gati për zgjedhje por në realitet asnjëra parti nuk është gati për zgjedhje” tha njohësi i zhvillimeve politike për “Gazeta Blic”.

Visar Xani
Osmani u ka dërguar letër liderëve të partive më 26 korrik.
“Përmes kësaj letre, po ju drejtohem lidhur me konsultimin e përbashkët për caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme në Republikën e Kosovës.Në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 66 (2) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenein 5 (2) të Ligjit Nr. 08/L -228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (“Ligji”), zgjedhjet e rregullta për Kuvend, duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 Janar-16 Shkurt 2025. Rrjedhimisht, në pajtim me përcaktimet e Kushtetutës dhe Ligjit, sot më 26 korrik, fillon zyrtarisht faza brenda së cilës mund të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve”
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Osmanit.
/Gazeta Blic/


