Lajme

Raci: BE-ja do të duhej të përfshihej në kthimin e trupit të Hajrizit, Kosova duhet t’ia kërkojë EULEX-it këtë

07/30/2024 22:34
nga:Sh R

Analisti politik, Gazmir Raci, ka thënë se në rastin e kthimit të kufomës së Faton Hajrizit në Kosovë do të duhej të përfshihej edhe Bashkimi Evropian.

Ai tha se Kosova dhe Serbia e kanë një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë juridik, e që sipas tij, misioni i EULEX-it në kuadër të kësaj marrëveshjeje e ka një rol lehtësues për raste sikur ai i Faton Hajrizit.

“Do të doja që edhe Bashkimi Evropian të kishte një rol në këtë drejtim, ku të paktën trupi i Faton Hajrizit të kthehej në Kosovë. Unë besoj zyrtari ynë ndërlidhës ka paraqitur shkresa atje, gjë që ministrja jonë e Jashtme do të duhej të na tregonte se a ka nisur ndonjë letër ajo apo ministrja e Drejtësisë”.

“Por, edhe EULEX-i, në momentin kur institucionet tona kanë vështirësi për t’u qasur pran institucioneve serbe, e ka një rol në këtë rast, që do të duhej të involvohej, por në këtë rast Kosova duhet t’ia kërkojë”, tha Raci në Rubikon.

Ai më tej komentoi edhe qasjen e Serbisë në rastin e Hajrizit, ku tha se kjo tregon nivelin e zhvillimit demokratik që ka shteti serb, e i cili e ka statusin e vendit kandidat për anëtar të BE-së.

“Kjo tregon se ky shtet nuk po arrin të dalë nga e kaluara kriminale e sistemit të Millosheviqit. Fatkeqësisht krerët e shtetit serb janë po ata që i kanë shërbyer denjësisht Millosheviqit, Sheshelit e të tjerëve”, tha Raci.