Së fundmi zjarret kanë kapluar vendin tonë. Temperaturat e larta gjatë kohës së verës, pakujdesia dhe vet dora e njeriut janë shkaktarët kryesor që zjarri të marrë hov, si në fusha, ashtu edhe në pyje.
Që nga e hëna e javës së kaluar e deri më sot (e martë), fshati Babaj të Bokës në komunën e Gjakovës është përfshirë nga zjarri në një hapësirë mjaft të madhe.
Komandanti i brigadës së zjarrëfikësve në Gjakovë, Xhevdet Brahimaj, në një prononcim për GazetaBlic, deklaron se sot është shuar i gjithë zjarri në këtë fshat, ai gjithashtu, thekson se këtë situatë e kanë menaxhuar me mundësitë e tyre, ani pse, çdo ditë ka pasur shpërthime e granatime.
“Zjarri është që nga e hëna e javës së kaluar e deri më sot, por, sot ka përfundu gjithçka. E kemi menaxhuar situatën me mundësitë e kapacitet tona, edhe pse ka qenë situatë shumë e vështirë, çdo ditë ka pasur shpërthime, granatime dhe gjithashtu, jemi munduar me pajisjet që i kemi pasur ne, ta vëmë situatën në kontroll”, tha Brahimaj.
Ai dyshon se arsyeja pse ka filluar zjarri është nga stërvitjet me armë në poligonin e ushtarëve të FSK-së dhe i KFOR-it.
“Mënyra se si ka filluar gjithçka është se aty është poligoni i FSK-së dhe i KFOR-it, aty më duket që kanë pasur stërvitje, dhe nga stërvitjet e tyre ka filluar zjarri. Aty kanë gjuajtur poligon sepse kanë pasur stërvitje diku tri ditë, në bazë të tyre ka filluar”, u shpreh ai.
Në lidhje me këtë çështje, eksperti për menaxhim të emergjencave, Tahir Ahmeti, thekson se zjarrëfikësit, mjetet dhe pajiset për intervenime të tilla nuk i kanë të duhurat dhe sipas tij, kjo e bën më të vështirë shuarjen e zjarrit.
“Zjarret kur kapin sasi të madhe apo territor të madh të pyjeve është shumë e vështirë të kontrollohen, duhet cekur se numri i zjarrëfikësve në Kosovë është mjaft i vogël. Mjetet dhe pajiset, zjarrëfikësit nuk i kanë të duhurat, që do duhet t’i kishin për intervenime të tilla, atëherë, kjo e bën edhe më të vështirë që këto zjarre të lokalizohen apo të shuhen në fusha apo në pyje më të thella”, pohoi Ahmeti.
Po ashtu, Ahmeti kërkon që institucionet të bëjnë përgatitje maksimale, sidomos gjatë kohës me temperatura të larta, si dhe të ketë fushatë sensibilizuese në mënyrë që qytetarët të informohen që të mos ketë shkaktime të tilla.
“Institucionet duhet të bëjnë përgatiten maksimale gjatë sezonës kur kemi kohëra të nxehta dhe kur kemi mundësi për zjarre, qoftë fushore apo pujore. Gjithashtu, duhet të merren masa apo qytetarët të informohen rrezikun nga këto zjarre. Pra, fushata sensibilizuese, në mënyrë që qytetarët mos të ndezin zjarre apo mos të shkaktojnë zjarre në këto vende, sepse pastaj po kemi mjaft telashe dhe me mijëra hektarë të tokës po digjen, pastaj, po rrezikohet flora dhe fauna dhe po bëhet ndotja e ambientit nga këto zjarre”, përfundoi Ahmeti.
/GazetaBlic/


