Lajme

“Super-qeveria e Kurtit”- Shumë pak ndryshime në kabinetin qeveritar për katër vite!

07/30/2024 12:17
nga:Y I

Edhe pak muaj na ndajnë kur përmbyllet aktiviteti katër-vjeçar i qeverisë Kurti.

Kjo qeveri si duket do të jetë e vetmja që e mbyll mandatin deri në fund që nga paslufta.

Por ky kabinet qeveritar do të mbahet mend po ashtu si i vetmi që ka patur shumë pak ndryshime gjatë kësaj legjislature.

Tre ndryshimet e vetme që ndodhën ishin jo pse u kërkuan nga kreu i Qeverisë por pse u larguan vetë.

I pari që dha dorëheqjen ishte ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, pasuar nga ish-ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe ish-ministri i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq.

Ndërkohë postet e njëjta vazhdojnë t’i mbajnë, Besnik Bislimi, Donika Gërvalla, Emilja Rexhepi, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Hekuran Murati, Arben Vitia, Arbërie Nagavci, Hajrullah Çeku, Artane Rizvanolli, Rozeta Hajdari, Faton Peci, Elbert Krasniqi, Xhelal Sveçla dhe Fikrim Damka.

Megjitëse disa prej tyre patën edhe skandale, kryeministri Kurti bëri sikur ‘ska ndodhur asgjë’, dhe vazhdoi punën njëjtë.

Kujtojmë skandalin me rezervat shtetërore ku u përfshi ministra Rozeta Hajdari apo super-skandalet e Donika Gërvallës që skanë patur të ndalur duke filluar nga lapsuset në ‘Facebook’ ku ngatërron flamujt e shteteve e deri tek paga mbi 7 mijë euro e Gani Jakupit.

Por a punuan kaq mirë ministrat që s’pati nevojë për ndryshime?

Njohësit e rrethanave politike në vend s’po mendojnë njëjtë si kryeministri Kurti, të njëjtit po thonë, se kjo është strategji e tij pasi ai e ka centralizuar Qeverinë dhe se ministrat janë aty veq për rrrogë.

“Te një pjesë e popullatës ka krijuar iluzion se Qeveria po funksionon mirë dhe nuk ka dashtë që në ndonjë formë përpara kësaj pjese të elektoratit të krijoj ndonjë ide se ka probleme. Tek e fundit ne kemi një Qeveri tërësisht të centralizuar ku përveq Kryeministrit, Dejona Mihalit si mbikqyrese parapolitike dhe dy tre pjesëtarëve të kabinetit ministrat tjerë janë veq me marrë rrogë, me kry atë që ju kërkohet dhe nuk kanë asnjë impakt dhe asnjë kontribut. Të jenë aty të mos flasin. Kaq” tha njohësi i rrethanave politike në vend, Avni Arifi për “Gazeta Blic”.

Ndërsa analisti politik, Afrim Kasolli thotë se mungesa e ndryshimeve në Qeveri vjen për shkak të bindjes së Kurtit se gjithçka po shkon mirë dhe mugesës së presioni opozitar pavarësisht se disa prej tyre (ministrave) kanë patur edhe skandale.

“Zakonisht kur nuk ndodhin ndryshime të tilla në kabinetin qeveritar ato mund të jenë të motivuara nga disa arsyeje. Kur Qeverinë e formon një koalicion në mes shumë partnerëve dhe kryministri i duhet shumë negociata politike me partneret e koalicionit pëe të iniciuar ndryshime të tilla. Mirëpo, në rastin e zotit Kurti, për shkak të numrit të madh të deputetëve që i ka, nuk mund të thuhet se vlen ky argument. I vetmi “ndryshim” që ka ndodhur në kabinetin qeveritar të drejtuar nga kryeministri Kurti, është ai që ka të bëjë me emërimin si ministër për Komunitete dhe Kthim, te Nenad Rashiq. Por kjo lëvizje dihet nga të gjithë ne pse ka ndodhur, për shkak të tensioneve dhe bojkotimit të punës së institucioneve qendrore nga Lista Serbe. Kështu, hezitimi i Kryeministrit Kurti për ndryshime të kësaj natyre, mund të jetë pasojë e bindjes së tij, se çdo gjë po shkon mirë sa i përket sukseseve të qeverisjes së tij, mungesës së presionit opozitar, por edhe faktit se ai kalkulon se ky është ekipi më i përgatitur që aktualisht e ka në dispozicion për ta qeverisur vendin. Personalisht, besoj se kjo e fundit është njëra nga arsyet kryesore, pse kryeministri Kurti nuk ka ndërmarr asnjë hap në drejtim të zëvendësimit të ministrave, përkundër faktit se punën e disa prej tyre e kanë karakterizuar edhe skandale” deklaroi Kasolli për “Gazeta Blic”.

Në muaj shkurt bëhen katër vite që kur Kurti erdhi në pushtet.

Pavarësisht disa tentativave, në fundin e kësaj pranvere për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, si duket ato do të mbahen në afat të rregullt.

Nesër krerët e partive politike do të takohen me presidenten Osmani për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/