Sporti

Interi ia beson talentin 19-vjeçar De Zerbit, zbulohen detajet e marrëveshjes

07/26/2024 22:50
nga:E K

Interi ka nisur të punojë për merkaton në dalje, teksa në repartin e sulmit janë tre futbollistët me valixhe në duar, që pritet të largohen në Milano. I pari që pritet të lërë zikaltrit është sulmuesi 19-vjeçar argjentinas Valentin Carboni, që pas një sezoni mjaft të mirë te Monza, pritet të luajë te Marseille.

De Zerbi e kërkon me çdo kusht, teksa në Francë japin detaje edhe nga marrëveshja që Interi dhe Marseille kanë arritur për transferimin e Carbonit në Ligue 1. Kështu klubi francez do të paguajë 4 milionë euro për huazimin, duke ruajtur të drejtën e blerjes në fund të sezonit për shifrën e 35 milionë eurove.

Nga ana tjetër Interi nuk do të heqë dorë përfundimisht nga talenti 19-vjeçar, pasi ka ruajtur të drejtën e riblerjes për shifrën e 45 milionë eurove. Zikaltrit i besojnë kështu maksimalisht De Zerbit, duke pranuar t’i lënë në dorë një sulmues mjaft premtues si Valentin Carboni.

Argjentinasi tjetër Joaquin Correa nuk ka bindur Inzaghin as gjatë këtyre ditëve stërvitje, ndaj mbetet në pritje të ofertave, teksa ditët e fundit ka pasur lëvizje konkrete nga klubet e Arabisë Saudite, që janë gati ta joshin me miliona për ta marrë.

Më i komplikuar duket largimi i Arnautovic, që ka edhe një vit kontratë, por vitet mbi supe bëjnë që të mos ketë shumë simpatizantë përreth. Gjithsesi zikaltrit shpresojnë t’i gjejnë një sistemim edhe austriakut, në mënyrë që më pas të provojnë të sjellin në Milano sulmuesin islandez Gudmundsson.