Lajme

Bislimi: Vuçeviq ia bëri të qartë BE-së se për ta s’ka ‘Marrëveshje Bazë’

07/24/2024 22:08
nga:Y I

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka publikuar një video të kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, ku ky i fundit shprehet qartë kundër pranimet të Kosovës si shtet të pavarur.

Në postimin e tij në platformën “X”, Bislimi ka theksuar se Serbia ka refuzuar të nënshkruajë çdo marrëveshje që nënkupton pranimin e Kosovës Republikë.

Vuçeviq në videon e publikuar nga Bisilimi dëgjohet duke deklaruar: “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar planin franko-gjerman. Sërish po ua them, nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Nuk e kemi nënshkruar dhe kemi dhënë deklaratë të qartë përcaktuese, e kemi thënë shumë qartazi se çfarëdo gjëje që nënkupton të ashtuquajturën Kosovë të pavarur është e papranueshme”.

Në këtë kontekst, Bislimi ka thënë se Vuçeviqi ka ngritur pyetje për Bashkimin Evropian (BE), duke e bërë të qartë se për ta nuk ka Marrëveshje Bazë me Republikën e Kosovës.

“Kryeministri i Serbisë po i pyet Përfaqësuesit e Lartë të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazë? Se pjesëmarrja e tyre në dialog është vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planeve të sekuencimit na duhen para se ta zbulojnë të vërtetën të gjitha shtetet anëtare?”