Lajme

Von der Leyen përballë presioneve për zgjedhjen e komisionerëve

07/24/2024 17:05
nga:Y I

Edhe pse fitoi mbështetjen e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen ka përpara një tjetër proces të vështirë.

Në zgjedhjen e komisionerëve të rinj, presidentja e rizgjedhur do të përballet me presione nga qeveritë ultra-konservatore. Italia, Çekia dhe Hungaria kanë deklaruar se duan poste të rëndësishme.

“Mozaiku i formimit të komisionit do të jetë i vështirë këtë herë pasi komisionerët që do të propozohen nga vendet anëtare do të kenë këndvështrime politike të ndryshme krahasuar me të kaluarën, më shumë euro-skeptikë do të jenë pjesë.” –tha analisti i Qendrës për Politikat Evropiane, Johannes Greubel.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do një zëvendës presidencë për ekonominë. Ai çek, Petr Fiala tha po ashtu se dëshiron një post të rëndësishëm, që anon nga ekonomia. Viktor Orban ndërkohë nuk është prononcuar nëse do të mbajë Oliver Varahelyi për Zgjerimin, apo do caktojë një emër tjetër.

Sidoqoftë, ky presion nuk do të vijë nga koalicioni i djathtë në Holandë, që dëshiron të mbajë Uopke Hoekstra, një zgjedhje e kryeministrit të mëparshëm liberal. Komisioneri i ndërveprimit për klimën falënderoi qeverinë aktuale me një postim në rrjetin “X”, për konfirmimin e besimit.

Sikurse në 2019-n, Von der Leyen do t’u kërkojë të gjitha vendeve kandidatë dhe kandidate, për të siguruar balancën gjinore.

Nëntë vende anëtare kanë deklaruar tashmë kandidatët. Gjatë negociatave, Von der Leyen do të kërkojë më të kualifikuarit për poste si mbrojtja, strehimi dhe marrëdhëniet me Mesdheun.