Ushqimi i mirë është një ndër proceset më të rëndësishme të shëndetit dhe zhvillimit gjatë gjithë jetës së një njeriu. Në trupin e njeriut ka shumë shkaktarë që ndikojnë në sëmundje të ndryshme, ndër to është edhe pakujdesia ndaj ushqimit.
Në lidhje me sëmundjet që vijnë nga ushqimi jo i rregullt, në një prononcim për GazetaBlic, ka folur nutricistja Flora Hajrizi, e cila ka treguar për sëmundjet që vijnë nga të ushqyerit jo të rregullt.
“Sëmundjet që vijnë nga të ushqyerit jo të rregullt përfshijnë: Obeziteti, mbipesha, diabeti, tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni), aritmitë kardiake (probleme me rrahje të zemrës), probleme renale (me veshka), çrregullimet hormonale të gjëndrës tiroide, sindroma metabolike, sindroma e vezorëve policistike, probleme me peristaltiken e zorrëve, inflamacione të zorrëve”, theksoi nutricistja.
Hajrizi, thotë së një ndër shkaktarët kryesor për shfaqjen e këtyre sëmundjeve është kequshqyerja dhe se parandalimi mund të bëhet nga marrja e një diete të shëndetshme.
“Sa i përket parandalimit të këtyre sëmundjeve, duhet të menaxhohet faktori që i shkakton, pra kequshqyerja. Mënyra si mund të parandalohet është marrja e një diete të shëndetshme me ushqime bio, me makro dhe mikronutrienta të balancuar, hidratimi i duhur, aktiviteti fizik i përshtatshëm për personin dhe sigurisht marrja e terapisë adekuate sipas gjendjes së pacientit, të përshkruar nga mjeku”, potencoi ajo për GazetaBlic.
Gjithashtu, nutricistja Hajrizi, thekson se gjatë kohës me temperatura të larta duhet të evidentohen produktet e konservuara si dhe ato të skarës.
“Gjatë kohës së verës kur temperaturat janë të larta është mirë që vaktet të jenë të pasura me fruta dhe perime, mishi të jetë i zier mirë dhe të evitohet mishi i kuq meqë ka tendencë që të kontaminohet në temperaturë më të lartë, gjithashtu të evitohen produktet e konservuara dhe të kemi kujdes tek këto produkte të evitojmë bombazhën (paketimi i konservës është i fryrë – si të jetë e mbushur me ajër) sepse nga kjo mund të marrim helmim me bakterien mjaft të rrezikshme, Clostridium Botulinum. Gjithashtu, produktet e skarës duhet të mënjanohen në këtë kohë dhe të zëvendësohen me sallata të ndryshme me perime sa më të freskëta, produkte të fermentuara të qumështit siç janë jogurti, kosi, kefiri…, kafja të zëvendësohet me çajra të ndryshëm bimore ose pije të ftohta pa ëmbëlsues, ndërsa sa i përket karbohidrateve si në çdo stinë, të zgjedhim produkte me përmbajtje të karbohidrateve sa më komplekse dhe të plota”, u shpreh ajo.
Në fund ajo thekson se sa i përket rëndësisë së ushqimit për organizmin e njeriut, mund të thuhet se ushqimi është një nga nevojat themelore për mirëfunksionimin e organizmit tonë.
“Sa i përket rëndësisë së ushqimit për organizmin e njeriut mund të themi se ushqimi është një nga nevojat themelore për mirëfunksionimin e organizmit tonë. Ushqimi është burim kryesor për energji, metabolizëm dhe ndërtim të trupit. Me një fjalë ne nuk mund të jetojmë dhe funksionojmë pa ushqim, çdo qelizë e trupit të njeriut ushqehet nga nutrientet që ne i marrim çdo ditë përmes dietës që e konsumojmë”, përfundoi nutricistja Flora Hajrizi./GazetaBlic/


