Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Presidentja Osmani priti sot në takim Hovenierin, ku shprehu shqetësimin për heqjen e vizave të serbëve me pasaporta ilegale.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka folur edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ku thotë se takimin e Osmanit me Hovenierin e sheh si një përpjekje të frustruar për të larë veten nga përgjegjësia e mosveprimit.
Tutje, ajo thotë se problemi me pasaportat nuk ka ardhur papritmas, por si rrjedhojë e destabilizimit të pandërprerë të situatës, ku shton se institucionet përkatëse kanë qenë në dijeni për këtë situatë dhe vetëm e kanë neglizhuar.
“Takimin e Osmanit me Hovenierin e pashë si një përpjekje të frustruar për të larë veten nga përgjegjësia e mosveprimit. Problemi me pasaportat ilegale të RKS-së nuk ka ardhur papritmas, por si rrjedhojë e destabilizimit të pandërprerë të situatës. Po ashtu, institucionet përkatëse kanë qenë në dijeni që ka tendenca për njohjen e këtyre pasaportave dhe siç duket ky problem është neglizhuar. Tani të tematizohet vetëm sa për sy e faqe është një përpjekje mjerane për të mashtruar qytetarët e Kosovës”, tha Musliu.
Musliu thekson se Qeveria e Kosovës duhet të rikthejë vlerësimin që ato pasaporta janë të papranueshme dhe se shteti i Kosovës ka vetëm një pasaportë e cila është në dispozicion për të gjithë qytetarët pa dallim.
“Vjosa Osmani dhe qeveria aktuale e Kosovës duhet ta rikthejnë vlerësimin që ato pasaporta janë të papranueshme dhe se shteti i Kosovës ka vetëm një pasaportë e cila është në dispozicion për të gjithë qytetarët pa dallim”, shtoi ajo.
Deputetja potencon se ky vendim është një goditje e rëndë politike për shtetin e Kosovës, pas vendimit për vendosjen e sanksioneve.
“Ky vendim është edhe një goditje e rëndë politike për shtetin e Kosovës. Është një vendim i pamatur dhe si i tillë shumë i dëmshëm për sa i përket subjektivitetit shtetëror të Kosovës”, tha ajo.
Musliu thotë se kjo Qeveri po e kthen Kosovën në pikën zero dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi.
Deputetja qëndrimin e Evropës ndaj Kosovës e sheh si shumë shqetësues.
“Kjo qeveri, në vend që të bëjë filma poshtë e lart, është dashur që këtë problem ta trajtojë me seriozitetin më të lartë. Kjo qeveri po e kthen Kosovën në pikën zero dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Po ashtu, ata të cilët e kanë marrë këtë vendim, duhet ta revidojnë sepse nuk ka asnjë arsye për këtë. Kosova i siguron të gjithë qytetarët e vet, asnjë etnitet nuk është i margjinalizuar, prandaj vendimi për njohjen e dokumenteve të strukturave ilegale është një goditje shtesë, pas vendimit për vendosjen e sanksioneve. Qëndrimi i Evropës ndaj nesh është shumë shqetësues”, përfundoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu./Gazeta Blic/


