Sporti

Mesfushori i Ferizajit, Shabani: Do të luajmë futboll të bukur e cilësor, jemi kthyer në Superligë për të qëndruar gjatë

07/22/2024 18:00
nga:Lorik J

Ferizaj është rikthyer në elitën e futbollit vendor dhe në sezonin 2024/25 do jetë pjesë e Superligës së Kosovës.

Arlind Shabani, mesfushori kualitativ i Ferizajt thotë se ekipi po bën përgatitjet maksimale dhe se nesër do udhëtojnë në Bullgari për të vijuar me stërvitje, para se të rikthehen në Kosovë për të filluar kampionatin.

“Stërvitjet i kemi filluar diku qe rreth një muaj dhe normalisht kjo faza e parë e përgatitjeve është më e mundimshme për ne lojtarëve, duke marrë parasysh edhe temperaturat e nxehta që janë në vendin tonë, mirëpo prej neser zhvendosemi në Bansko të Bullgarisë ku kushtet për stervitje dhe pushim janë edhe më të mira dhe normalisht ndeshjet miqësore që do i zhvillojmë atje do na mundësojnë që të jemi sa më të gatshëm për sezonin e ri të Superligës”, tha fillimisht Arlind Shabani për ‘GazetaBlic Sport’.

Shabani thotë se Ferizaj është kthyer në Superligë për të qëndruar gjatë – teksa për këtë edhe po punojmë maksimalisht.

“Ne si klub këtë vit jemi rikthyer përsëri në Superligë dhe e kemi mendjen që të jemi këtu për kohë të gjatë, normalisht kjo arrihet vetëm duke punuar ne si lojtarë në fushë, por gjithashtu edhe stafi i trajnerëve me kryesinë e klubit – duke na qëndru mbrapa me çdo gjë siç kanë bërë deri tani. Në këtë mënyrë besoj që këtë sezon Ferizaj do të jetë një ekip mjaft konkurrues dhe arrë e fortë për çdo ekip që do takohet me ne”, vazhdoi ai.

Në fund, Shabani potencoi se organizimi është mjaft i mirë në ekip dhe se kanë skuadër për të treguar futboll cilësor.

“Siç e thash edhe më herët, organizimi i mirë në klub, gatishmëria e kryesisë së klubit që në çdo moment për çfarëdo problemi si personal, si organizativ është afër lojtarëve, e njëkohësisht edhe grupi i lojtarëve që e inkadruam në Superligë ekipin është ruajtur, me disa përforcime kualitative, e me stafin profesional të trajnerëve, të gjitha këto besoj na shtyejnë që të besojmë që kemi një ekip mjaft cilësor që do tregojmë futboll të bukur në Superligë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport