Lajme

‘Migrena’, neurologu Krasniqi: Temperaturat e larta ndikojnë në përkeqësimin e sëmundjes gjatë verës!

08/03/2024 09:51
nga:N K

Sëmundja e migrenës është një çrregullim neurologjik që karakterizohet nga dhimbje të forta dhe të shpeshta të kokës.

Temperaturat e larta mund të jenë një faktorë shkaktues ose përkeqësues për ata që vuajnë nga migrena.

Në lidhje me këtë sëmundje ka dhënë informata më të detajuara për “Gazeta Blic” neurologu, Milaim Krasniqi.

“Temperaturat e larta ndikojnë në përkeqësimin dhe rritjen e ataqeve migrenoze gjatë stinës së verës. Gjatë temperaturave të larta mund të vie deri te dehidrimi i organizmit si pasojë e mos konsumimit mjaftueshëm të ujit apo lëngjeve dhe çekuilibëri në kimikatet e trurit, të cilat mund të çojnë në dhimbje të forta pulsuese të migrenës. Duke e ditur se drita e fortë është faktor nxitës i migrenës, rrezet e ndritshme të diellit mund të shkaktojnë një sulm migrene”, deklaroi ai.

Tutje ai tregon se cilat mosha preken nga migrena dhe çfarë efekti shkakton ajo gjatë stinës verës.

“Të gjitha moshat mund të preken nga migrena, duke filluar më shpesh në moshën e pubertetit por nuk përjashtohen edhe moshat më të reja të fëmijëve. Kokëdhembjet migrenoze të moderuara ose të rënda ndërhyjnë dhe pengojnë në aktivitetet e përditshme jetësore”, tha ai.

Neurologu po ashtu tutje tregon metodat e mbrojtjes së migrenës nga temperatura e larta, duke filluar që nga hidratimi me ujë dhe pije të freskëta.

“Qëndroni të hidratuar me ujë dhe pije të freskëta, shmangeni konsumimin e alkoolit dhe kafeinës. Kryeni detyrat dhe obligimet ditore në orët më të freskëta të mëngjesit ose të mbrëmjes për t’iu shmangur temperaturave të larta. Zgjidhni veshjen e rrobave nga pambuku të cilat mbajnë trupin e freskët. Mbani kapele dhe syze dielli ndërsa jeni në diell me qëllim shmangies së rrezeve të ndritshme të diellit”, u shpreh Krasniqi.

Për në fund neurologu Milaim Krasniqi, përmend trajtimet specifike të migrenës.

“Ekziston trajtimi akut(abortiv) dhe trajtimi preventiv(profilaktik) për migrenën. Trajtimi akut ka për qëllim ndërprerjen sa më shpejtë të kokëdhembjes dhe vazhdimin e aktiviteteve ditore, ndërsa trajtimi preventiv ka për qëllim zvogëlimin e numrit të ataqeve migrenoze dhe parandalimin e shfaqjes së tyre”, përfundoi neurologu Milaim Krasniqi.

/GazetaBlic/