Lajme

GjND-ja: Prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze – e paligjshme

07/19/2024 22:32
nga:Sh R

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi të premten se prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është “e paligjshme” dhe bëri thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të ndërtimit të vendbanimeve, duke dënuar kontrollin e Izraelit mbi tokat që pushtoi 57 vjet më parë.

Në një opinion jo detyrues, Gjykata e lartë e OKB-së përmendi politika të ndryshme, duke përfshirë zgjerimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor, shfrytëzimin e burimeve natyrore, aneksimin dhe politikat diskriminuese kundër palestinezëve, për të gjitha këto thuhet se shkelin të drejtën ndërkombëtare.

Kolegji prej 15 gjyqtarësh pohoi se “abuzimi i Izraelit me statusin e tij si fuqi pushtuese” e bën “praninë e tij në territorin e pushtuar palestinez të paligjshme”.

Ai theksoi se prania e vazhdueshme e Izraelit është “ilegale” dhe duhet të përfundojë “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Sipas opinionit prej 83 faqesh të lexuar nga presidenti i gjykatës Nawaf Salam, Izraeli duhet të ndërpresë menjëherë ndërtimin e vendbanimeve dhe vendbanimet ekzistuese duhet të çmontohen.

Izraeli, i cili shpesh i sheh Kombet e Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare si të njëanshme, nuk dërgoi një ekip ligjor në seancat dëgjimore.

Megjithatë, ajo paraqiti komente me shkrim, duke thënë se pyetjet e bëra në gjykatë ishin të paragjykuara dhe nuk merrnin parasysh shqetësimet e sigurisë izraelite.

Zyrtarët izraelitë kanë pohuar se përfshirja e gjykatës mund të dëmtojë procesin e paqes, shkruan Euronews.com.

Në përgjigje të vendimit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përsëriti se Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi lindor janë pjesë e “atdheut” historik të popullit hebre.

“Populli hebre nuk është pushtues në tokën e vet – as në kryeqytetin tonë të përjetshëm Jerusalemin dhe as në tokën e të parëve tanë në Jude dhe Samari”, deklaroi ai në mediat sociale.

Netanyahu e hodhi poshtë vendimin e gjykatës duke e cilësuar si një shtrembërim të së vërtetës historike dhe tha se ligjshmëria e vendbanimeve izraelite në këto territore është e padiskutueshme.

Ndërsa opinioni i gjykatës, i kërkuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pas një kërkese palestineze, nuk ka gjasa të ndryshojë politikën e Izraelit, natyra e tij gjithëpërfshirëse, duke përfshirë pohimin se Izraeli nuk mund të pretendojë sovranitet në territore dhe po pengon të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje, mund të ndikojnë në opinionin ndërkombëtar.

Ky zhvillim vjen në mes të fushatës së vazhdueshme ushtarake 10-mujore të Izraelit në Gaza, e cila nisi menjëherë pas sulmeve e udhëhequra nga Hamasi në Izraelin jugor, më 7 tetor 2023.

Më vete, GjND-ja po shqyrton një pretendim të Afrikës së Jugut se veprimet e Izraelit në Gaza përbëjnë gjenocid, një akuzë që Izraeli e mohon fuqishëm.