Lajme

Gazetari Hasani: Pa u arrestuar Fatoni s’del e vërteta për vrasjen e policit – absurde se çka kërkonte ai në Preshevë

07/18/2024 23:57
nga:G B

Gazetari nga Presheva, Hasan Hasani, ka folur në lidhje me vrasjen e policit serb nga tashmë i dyshuari që është arratisur nga Burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi.

Ai tha se pas informatave edhe nga familjarë të Hajrizit se ai ka qëndruar në Gjermani, Slloveni e Austri, është absurde se çfarë kërkonte Fatoni në Preshevë.

“Nëse arratisja kishte ndodhur nga pjesa e Gjilanit përgjatë pikës kufitare te Dheu i Bardhë apo prej Muçibabës, të paktën unë që jetoj në Preshevë, nuk ka pasur ndonjë informacion në popull se mund ta kenë parë ndonjë figurë që mund t’i ngjasonte Faton Hajrizit”.

“Kjo për mua mbetet absurde se çfarë po kërkonte Fatoni në Preshevë për t’u nisur më pas në drejtim të vendeve evropiane kur po thuhet se ai ishte ditëve të fundit në Austri e Slloveni. Ka deklarime të shumta, qoftë nga ministri i Brendshëm, apo akterë të skenës politike në Serbi, që po i japin konotacion edhe politik si ndërhyrje e organizuar e strukturave në Kosovë”, tha Hasani në “Edicioni Special” në Klan Kosova.

Hasani më tej tha se pa arrestimin e Faton Hajrizit nuk do të arrihet e vërteta se si ka ndodhur vrasja e policit serb, teksa shtoi se për çiftin e arrestuar ka informacione se ishin trafikantë të lëndëve narkotike dhe të qenieve njerëzore.

“Megjithatë, pa arrestimin e Faton Hajrizit nuk do të arrijmë të mësojmë të vërtetën se cka ka ndodhur. Nëse arrestohet, do ta kemi më të vështirë se si do të përfundojë ai, pas këtij akti nëse do të burgoset në Serbi apo do të transferohet në Kosovë.

:Ka informacione se edhe fqinjët e të arrestuarve njiheshin si trafikantë të lëndëve narkotike por edhe trafikantë të qenieve njerëzore. Për mua mbetet absurde se nëse këta kanë ardhur në Preshevë ta marrin Faton Hajrizin, është e pamundur që të dalësh nga Presheva në drejtim të Bujanocit pa u ndaluar nga një patrullë policore”, tha ai, njofton Klankosova.tv.

Më tej, gazetari nga Presheva bëri të ditur se të gjithë mekanizmat shtetërorë në Serbi janë aktivizuar dhe po e kërkojnë Faton Hajrizin në çdo cep, me dronë e helikopterë, por deri më tani pa sukses në kapjen e tij.

“Të gjithë mekanizmat shtetërorë serbë janë aktiv dhe po kërkojnë në cdo cep. Dronët, helikopterët, forcat e ndryshme të policisë përgjatë Lumit Drin dhe të gjithë atij perimetri të gjërë po e kërkojnë dhe janë në kërkim të Faton Hajrizit, por nuk dihet nëse gjendet në Serbi apo mund të ketë kaluar në Bosnjë dhe Hercegovinës”, tha ai.