Sporti

Pepe: “Pësova traumë tek Arsenali! M’u neverit futbolli, isha afër tërheqjes”

07/18/2024 16:53
nga:E K

Entuziazëm i madh në fillim dhe më pas kritika pafund. 80 milionë euro pagoi Arsenali në arkat e Lilles në verën e vitit 2019 për shërbimet e Nicolas Pepes.

Sulmuesi i djathtë nga Bregu i Fildishtë kishte mbyllur sezonin e fundit me skuadrën franceze me 22 gola dhe 11 asistime.

Por Pepe fantastik mbeti në Ligue 1. Në Londër u transferua “hija” e tij. Sigurisht që çmimi i madh i kartonit pati ndikimin e vet negativ.

Pritshmëritë mes tifozëve Gunners ishin të mëdha, por afrikani realizoi 5 gola në sezonin e parë me Arsenalin në Premier. Dyfishin në të dytin dhe vetëm një gol në të tretin.

Disa ditë më parë ka dalë lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me turqit e Trabzonsporit, ndërkohë që në lidhje me aventurën angleze thekson se ishte shumë e hidhur dhe tronditëse!

“Sigurisht që dështova tek Arsenali. Të rrallë janë futbollistët që shënojnë menjëherë 25 gola tek ekipi i ri, por nuk e mendoja se do të bija aq poshtë në Premier League.

U përballa me shumë kritika dhe ofendime. Ishin në kufijtë e ngacmimeve. Njerëzit nuk arrijnë ta perceptojnë se aq shumë vrer dhe presion të ndikon psikologjikisht.

Të ndikon në familje dhe sigurisht që pasojat shfaqen në fushën e blertë. Lojtarët duhet të ndihmohen përballë kritikave. Unë pësova një lloj traume tek Arsenali.

Futbolli nisi të më neveritej, më dukej sikur u zhduk gjithë pasioni që kisha për këtë lojë. Në kokën time kalonin shumë pyetje.

Isha plot dyshime, pyesja veten se pse po merresha me këtë profesion. Isha afër tërheqjes nga futbolli”, kujton Pepe.