Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur Lloznicë të Serbisë, raportohet të jetë vrarë një polic dhe një tjetër është plagosur me armë zjarri.
Sipas deklarimeve të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, në vend të ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin Artan Hajrizi (1990).
Daçiqi tha se rasti ka ndodhur pasi policia ka ndaluar një veturë tip “Mercedes” me targa të Tutinit, Serbi, në të cilën tha se ndodheshin dy persona.
Ndërkaq, sipas informatave të Klan Kosova nga organet e drejtësisë, në veturë dyshohet të ketë qenë edhe Faton Hajrizi, i arratisur më 6 korrik nga burgu i Smrekonicës.
Sipas informatave të televizionit, Artani dhe Fatoni janë vëllezër.
“Mbrëmë, rreth orës 00.55 në Lloznicë, gjatë kontrollit të automjetit në pikën e kontrollit në Lipniçki Shor, policët e stacionit policor kufitar Tërbushnica kanë ndaluar një Mercedes me targa të Tutinës, në të cilin ndodheshin dy persona”.
“Kur ka dalë nga vetura, një person ka qëlluar me pistoletë, duke e goditur policin Nikolla Kërsmanoviq (1990) në gjoks dhe policin Vjekoslav Iliq (1974) në shpatull, pas së cilës vepër ka ikur”.
“Të dy policët u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Lloznicës, ku Kërsmanoviq iu nënshtrua plagëve të marra”, tha Daçiqi, sipas mediave serbe.
“Policia në vend ka gjetur pasaportën e të dyshuarit të lëshuar nga institucionet e përkohshme të të ashtuquajturës Kosovë në emër të Artan Hajziri (1991) dhe një letërnjoftim gjerman”, ka shtuar Daçiqi.