Lajme

Traktati i paqes Kosovë-Serbi/ Eksperti i sigurisë tregon se si mund të arrihet kjo – kritikon ministrin Maqedonci

07/17/2024 21:58
nga:G B

Institucionet e vendit vazhdimisht po paralajmërojnë për mundësinë e sulmeve të reja nga Serbia në veri të vendit.

Si pasojë e kësaj, po shihet nevoja për një traktat paqeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur sot ministri i Mbrojtjes Ejup Maqendonci, derisa sipas tij një ide e tillë do të duhej të ishte pika kyçe në proces të dialogut në Bruksel.

Ai ka potencuar se një kërkesë e tillë ishte bërë nga kryeministri Kurti në vitin 2021, por ishte refuzuar nga presidenti Vuçiq.

Lidhur me këtë ide të Maqedoncit, sa do të mund të arrihej tani ky traktat dhe a do të ishte garanci për të mos pasur sulme nga Serbia, për Gazeta Blic ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ai thotë se një qëndrim i tillë nuk i takon ministrit të mbrojtjes, derisa thekson se për një traktat të tillë adresa e vetme do të ishte Brukseli apo Shtëpia e Bardhë.

“Deklarimi i tillë nuk i takon Ministrit të Mbrojtjes, nuk i takon atij të mbajë një qëndrim të tillë në këtë periudhë sepse një traktat të paqes adresa e vetme që duhet të adresohet kjo është Brukseli apo Shtëpia e Bardhë në SHBA, të cilat mund të garantojnë që ka hapësirë për implementim”, thotë ai.

Sipas Shalës, për të ndodhur një gjë e tillë, duhet krijuar partneritet për të marrë mbështetjen e duhur.

“Por, një veprim i tillë për të ndodhur ne do të duhej që në periudhën që jemi por edhe në dy procese të tjera të krijonim partneritet thelbësor fondamental për të marrë mbështetjen e duhur në një rrugëtim të tillë që do të prodhonte një situatë me stabilitet rajonal e më gjerë”, potencon eksperti i sigurisë për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se qeveria në vend të deklarimeve të tilla, do të duhej t’i mbyllte tri procese brenda Ministrisë dhe Forcës.

“Qeveria (Ministri i Mbrojtjes) sa të bënte deklarim të tillë do të ishte mirë që të përmbyllte tri procese brenda Ministrisë dhe Forcës si lidership i këtyre dikastereve politike dhe atij ushtarak para që të dilte më një deklarim që do të prodhojë një hendek negativ në periudhën politike ndërkombëtare që gjendet Kosova”, thekson Shala.

Ai thotë se mbetet të shihet pas zgjedhjeve të ardhshme se cili do të jetë qëllimi primar i Kosovës.

“Apo Ministri ka një informatë e cila mund të prodhojë…!? Por, mbetet për të parë pas zgjedhjeve në nëntor 2024 se ku dhe si do të arrihet deri te qëllimi primar i Kosovës, që është mbështetja për rrugën e saj Euro-Atlantik”, deklaron Drizan Shala./Gazeta Blic/

Maqedonci: Të bëhet një traktat i paqes mes Kosovës dhe Serbisë që do të shërbente si bazament i dialogut