Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë, mori vendim që nga data 13 deri me 20 korrik të lirohen nga puna gratë shtatzëna punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë dhe personat me sëmundje kronike.
Në lidhje me këtë vendim dhe si pritet të ndikojë në punën e bizneseve ka folur për “Gazeta Blic’ nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha.
Berisha tha se këto temperatura kanë ndikuar në dinamikën e punës sidmos në sektorin e ndërtimtarisë.
Ai tha se brengosëse për AKB-në ka qenë vendimi i Qeverisë për ndalimin e qarkullimit të transporteve me pesha të rënda të cilat nuk mund t’a kalojnë peshën 7 ton e gjysëm.
“Eshtë e vërtetë se jo vetëm në vendin tonë por edhe rajonin thuajse në përgjithësi e ka përfshirë një valë e të nxehtit, temperatura të larta, të pazakonta për kohën që po mbretëron. Këto temperatura kanë ndikuar në dinamikën e punës, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë, por edhe në sektorët e tjerë. Sidmos në sektorët që domosdoshmërisht në këtë kohë kanë nevojë për kryerjen e punëve të nevojshme si në bujqësi korrje-shirjet e kështu me radhë. Konsideroj se bizneset janë duke pësuar pasoja nga këto temperatura të larta mirëpo ajo çfarë Aleancën Kosovare të Bizneseve më tepër e ka brengosur ditëve ka qenë edhe vendimi i Qeverisë për ndalimin e qarkullimit të transporteve me pesha të rënda të cilat nuk mund t’a kalojnë peshën 7 ton e gjysëm. Për pikpamjen e AKB-së, ky vendim është një dëmtim shtesë për ekonominë vendore e sidomos për bizneset të cilat kanë nevojë të bëjnë transport me pesha më tepër se 7 ton e gjysëm. Ka qenë më normale të bihet një vendim për ndalimin apo kufizimin e qarkullimit të trasnportit me pesha të rënda, mbi 25 ton. Për kufizimin e peshave mbi 7 ton e gjysëm është një vendim jo i analizuar mirë për çka AKB-ja ka ditë që po reagon dhe kërkon nga Qeveria ta rishikojë këtë vendim “
“Efektet negative nga këto vendime janë të drejtpërdrejta ngase kufizohet qarkullimi, kufizohet funksionimi normal i bizneseve, pengohet prodhimi sidomos kur ka nevojë transport të lëndës së parë ose të produketeve të gatshme për treg dhe këto gjithsesi do të ndikojnë në afarizmin e bizneseve duke kufzuar apo zvogëluar qarkullimin financiar dhe të hyrat e bizneseve” deklaroi Berisha për “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/


