Lajme

Avokati Bajraktari: Gjykata Speciale po aplikon një politikë ndëshkimore mjaft të ashpër, proceset jo transparente

07/16/2024 22:26
nga:Sh R

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, u dënua sot me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Lidhur me këtë çështje, avokati Ardian Bajraktari, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se Gjykata Speciale po e aplikon një politikë ndëshkimore mjaft të ashpër.

“Sot u publikua aktgjykimi për z. Shala, me ç’rast u dënua me 18 vite burgim. Ajo çfarë kemi parë edhe në rastin e parë, kur është dënuar z. Mustafa, Dhomat e Specializuara apo Gjykata Speciale, po e aplikojnë një politikë ndëshkimore mjaft të ashpër, veçmas Gjykata e shkallës së parë. Vlen të theksohet, gjithnjë duke ju referuar asaj që u publikua, kur jemi tek përshkrimi faktik i veprimeve që si rregull duhet të jenë përshkrim i saktë dhe i detajuar, ndryshe nga që u tha sot, për shembull, ndër të tjera thuhet se: “më ose rreth datës 5 qershor 1999,…..”, një përshkrim i tillë është tejet i mangët”, tha ai.

Tutje, avokati thotë se proceset gjyqësore që po zhvillohen në dhomat e specializuara janë duke u shoqëruar me mungesë të transparencës, ku shton se ato duhet të jenë transparente.

“Megjithatë, po flasim vetëm për vendimin e shkallës së parë, ndaj të cilit sigurisht se palët, me thekës të veçantë pala mbrojtëse do të shfrytëzojë të drejtën e ankesës, sikurse parashihet me ligj. Përgjithësisht, proceset gjyqësore që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara janë duke u shoqëruar me mungesë të theksuar të transparencës. Procedurat gjyqësore duhet të jenë transparente. Parimi i publicitetit të procedurës është një prej parimeve bazë, kurse kufizimi i publicitetit mund të bëhet vetëm në rrethana përjashtuese”, përfundoi Bajraktari për GazetaBlic.

Avokati Gashi: Rasti i Pjetër Shalës tregon se nga Gjykata Speciale s’do të ketë drejtësi për pjestarët e UÇK-së