Lajme

Avokati Gashi: Rasti i Pjetër Shalës tregon se nga Gjykata Speciale s’do të ketë drejtësi për pjestarët e UÇK-së

07/16/2024 21:04
nga:Sh R

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i njohur si komandant “Ujku”, u dënua sot me 18 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

Lidhur me këtë çështje, avokati Tomë Gashi, në një prononcim për GazetaBlic, thotë se këto dënime që po vijnë nga Gjykata Speciale për pjesëtarët e UÇK-së, janë si pasojë e votimit të ‘çmendurisë’ për Gjykatën Speciale, që e kanë votuar rreth 82 deputetë të atëhershëm.

Gashi thotë se votimi për Gjykatën Speciale, ka qenë votim kundër kombit shqiptar dhe kundër pjesëtarëve të UÇK-së.

“Këto dënime që po ju vijnë nga Gjykata Speciale për pjesëtarë të UÇK-së siç ka ardhur sot dënimi i radhës për Pjetër Shalën, janë pasojë e votimit të çmendurisë që e kanë votuar deputetët e Kosovës me 2015 kundër Kosovës, kundër kombit shqiptar dhe posaçërisht kundër pjesëtarëve të UÇK-së. Këto dënime janë pasojë e votës së tillë të 82 deputetëve të atëhershëm”, tha ai.

Tutje, avokati theksoi se tani do të kemi vetëm pjesëtarë të UÇK-së të akuzuar, që në shumicën e rasteve edhe dënohen, ku shton se nuk do të ketë asnjë pjesëtar të ushtrisë serbe që dënohen nga Gjykata Speciale.

“Dhe tani për fat të keq nuk do të kemi asnjë pjesëtar të ushtrisë serbe, të policisë serbe e as të paramilitarëve serbë të dënohen në Gjykata Speciale. Por do të kemi vetëm pjesëtarë të  UÇK-së të akuzuar, e në shumicën e rasteve edhe fatkeqësisht të dënuar”, shtoi Gashi.

Avokati po ashtu thotë se rasti i Pjetër Shalës tregon se nga Gjykata Speciale nuk do të ketë drejtësi për pjesëtarët e UÇK-së.

“Rasti i Pjetër Shalës tregon që drejtësi për pjesëtarë të UÇK-së në Gjykatën Speciale nuk do të ketë”, përfundoi avokati Tomë Gashi./GazetaBlic/