Një 43 vjeçar në Greqi ka vrarë ish-gruan e tij 36 vjeçare në sy të vajzës së tyre të mitur.
Pas një kohe të gjatë dhune dhe kërcënimesh, burri qëlloi për vdekje 36-vjeçaren dhe më pas kreu vetëvrasje me pushkën e gjahut.
Një mikeshë e ngushtë e viktimës ka treguar për mediat greke detaje të rënda.
Sipas saj, mbrëmjen e së mërkurës, 43 vjeçari i ka prerë frenat motoçikletës së 36-vjeçares, duke dashur ta terrorizojë partneren e tij.
“Ata ishin ndarë për një kohë, por ai vazhdonte ta shqetësonte. E kërcënoi, e vëzhgoi, priti jashtë shtëpisë që të kthehej. Ai e kishte goditur disa herë dhe pardje ia preu frenat motoçikletës. Areti e ka denoncuar në polici por nuk e kanë gjetur”, tregon mikesha e viktimës.
Viktima kishte bërë padi ndaj 43-vjeçarit për dhunë dhe kanosje në familje. Por, kjo nuk ishte hera e parë që autori ia bënte jetën “ferr”.
Majin e kaluar, ai u dërgua në burg i akuzuar për dhunë në familje. Edhe pse u shpall i pafajshëm, vazhdoi ta përndiqte 36-vjeçaren.
Kërcënimet dhe rrahjet ishin disa nga dëshmitë që gruaja përjetoi deri në mëngjesin e sotëm kur 43-vjeçari e vrau në sy të vajzës së tyre të mitur.
“Natën ajo doli dhe sapo u kthye në shtëpi ai e priste dhe e vrau. Fëmija ishte me nënën gjatë atyre momenteve. Fëmija është në shok, si mund të jetë?”- thotë më tej shoqja e 36-vjeçares.
/Euronews Albania/